Alarm demografik në Maqedoni:Në vitin 1994 lindën 31 mijë femijë ndërsa në vitin 2024 16 mijë femijë

Maqedonia po përballet me një krizë serioze demografike, e cila thellohet vit pas viti. Të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë një rënie të vazhdueshme të numrit të lindjeve të gjalla gjatë tre dekadave të fundit.
Në vitin 1994, numri i lindjeve ishte mbi 31 mijë. Që atëherë, trendi ka qenë kryesisht në zbritje. Pas vitit 2000, numri i fëmijëve të lindur ka rënë nën 25 mijë, ndërsa në periudhën 2008-2014, falë masave stimuluese për lindjen e “fëmijës së tretë”, pati një stabilizim të lehtë dhe ngritje modeste të natalitetit.
Megjithatë, pas vitit 2014 situata ka marrë përmasa edhe më shqetësuese. Pas ardhjes së pushtetit të ri, që vetë e kishte promovuar sloganin “Erdhi jeta”, numri i lindjeve ka njohur rënie të pandalshme. Deri në vitin 2024, numri i foshnjave të lindura ka zbritur nën 17 mijë, për të arritur minimumin historik prej vetëm 16.061 lindjesh.
Ekspertët e demografisë dhe sociologët e shohin këtë si pasojë të shumë faktorëve: emigrimi masiv i të rinjve, pasiguria ekonomike, standardi i ulët i jetesës dhe mungesa e politikave të qëndrueshme familjare.
Nëse trendi aktual vazhdon, Maqedonia rrezikon të përballet me pasoja serioze afatgjata: mungesë fuqie punëtore, plakje të popullsisë dhe presion të madh mbi sistemin pensional e shëndetësor.(Strugalajm.com)
