Alarmante, çdo vit vdesin mbi 200 foshnja
Prej janari deri në shtator të këtij viti kanë lindur 16.411 fëmijë, ndërsa po këto nëntë muaj kanë vdekur 187. Vitin e kaluar (2016) kanë lindur 23.002 foshnja të gjalla dhe 197 të vdekur, ndërsa gjatë vitit kanë vdekur gjithsej 273 fëmijë”, thonë nga ESHS-së
Vdekshmëria e fëmijëve në Maqedoni, që përfshin moshat nga lindja deri në moshën një vjeç – paraqitet me shifra shqetësuese. Alarmante janë të dhënat statistikore për numrin e fëmijëve që lindin të vdekur, shkruan gazeta KOHA. Vetëm në nëntë muajt e fundit, në Maqedoni kanë vdekur gjithsej 187 foshnja. Trendi i vdekjeve në mbi 200 për çdo vit është evidentë thuajse tërë dekadën e fundit. Kështu të paktën flasin të dhënat zyrtare të Entit Shtetërorë për Statistikë të Maqedonisë (ESHS). “Prej janari deri në shtator të këtij viti kanë lindur 16.411 fëmijë, ndërsa po këto nëntë muaj kanë vdekur 187. Vitin e kaluar (2016) kanë lindur 23.002 foshnja të gjalla dhe 197 të vdekur, ndërsa gjatë vitit kanë vdekur gjithsej 273 fëmijë”, thonë nga ESHS-së. Nga Spitali Gjinekologjik Akusherik “Nënë Tereza”, në Çair, asnjë nga gjinekologët e kontaktuar nuk deshi të komentoj për shkaqet që sjellin vdekshmërinë e foshnjave gjatë lindjes. Sipas ESHS-së, në vitin 2015 janë lindur 23.075 fëmijë të gjallë dhe 185 të vdekur, në vitin 2014 kanë lindur 23.596 fëmijë të gjallë dhe 171 fëmijë të vdekur, derisa gjatë vitit të parë të lindjes janë evidentuar 233 foshnje të vdekur. Në vitin 2014 janë lindur 23.334 foshnja të gjalla dhe 196 të vdekur, kurse gjatë tërë vitit janë regjistruar 237 foshnja të vdekura. ESHS informon se në vitin 2012 janë lindur 23.568 fëmijë të gjallë dhe 184 të vdekur, kurse gjatë tërë atij viti kanë ndërruar jetë 230 fëmijë deri në moshën 1 vjeçe. Identike janë të dhënat statistikore edhe për vitin 2009, 2010 dhe 2011. Në vitin 2009, janë lindur 23.684 foshnja të gjalla dhe 226 të vdekura, ndërsa po atë vit jetë kanë ndërruar 278 fëmijë. Në vitin 2010 janë lindur 44.296 foshnja të gjalla dhe 211 të vdekur, derisa gjatë tërë vitit janë regjistruar edhe 176 foshnja të vdekura. Sa i përket vitit 2011, atë vit janë lindur 2270 foshnja të gjalla dhe 202 pa shenja jete, derisa gjatë tërë vitit kanë vdekur edhe 172 foshnja tjera. (koha.mk)