Albin Kurti me shkrim emocionues për Muajin e bekuar të Ramazanit!
Ky ishte shkrimi i tij ne profilin zyrtar te tij:
Sofra e cila ka më shumë se bukë e ujë – Sofra e mbushur me solidaritet
Buka e cila sakrifikohet çdo ditë për një muaj, është po ajo që përbashkon në mbrëmje. Disiplinë e sakrificës në bashkësi të solidaritetit, për ditë jomateriale dhe darkë barazimtare. Për pastrim zemrash, kthjellim mendjesh, lartësim shpirtërash. Për karakter më të vendosur e më të përkushtuar për ndryshim e përmirësim. Për ekuilibër mes anës fizike dhe shpirtërore.
Kur perëndon dita, mbrëmja është ajo që e shuan urinë dhe e fashit etjen. Por, jo të gjithë kanë mbrëmje. Shumë nga populli ynë po kanë vetëm ditë të gjata pa bukë. Mbrëmja për ta do të vijë kur të perëndojnë zullumi e zhvatja. Atëherë do të vijë edhe buka.
Ky muaj shërben që të jemi në këpucët dhe lëkurën e të tjerëve. Ta kuptojmë që të heqësh dorë nga egoja nuk është mësimi i vetëm. Të jetosh përgjithmonë me ndjenjën e solidaritetit është qëllimi.
Uroj të gjithë besimtarët muslimanë për Ramazanin! Qoftë ky një muaj që na bashkon rreth sofrës së solidaritetit.
Albin Kurti