Ali Ahmeti ,flet për “Epokën e re”
Zgjidhja e kontestit të emrit hap dyert e NATO-s dhe të BE-së për Maqedoninë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është shprehur i kënaqur me bashkëqeverisjen e deritanishme në Republikën e Maqedonisë. Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe Maqedonia ka shënuar progres dhe është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ahmeti ka deklaruar se prioritet i koalicionit qeverisës është integrimi euroatlantik i cili garanton paqe, stabilitet dhe siguri në Maqedoni dhe rajon. Ai ka bërë me dije se zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë do t’i zhbllokojë dyert e NATO-s dhe të BE-së për Maqedoninë. Nëse kjo çështje përfundon me sukses, Ahmeti ka thënë se Maqedonia me automatizëm do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO, si dhe në qershor mund t’i hapë negociatat për anëtarësim në BE
Shqipe HETEMI
Prishtinë, 28 maj – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, të hënën e ka quajtur të suksesshme punën e koalicionit qeverisës në Republikën e Maqedonisë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ka marrëveshje me partnerët e koalicionit për t’i shtyrë përpara temat që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit. “Ka zhvillime shumë më të mëdha se sa unë të ndalem tani të bëj një analizë për bashkëqeverisjen e deritashme. Megjithatë, në pika të shkurtra mund të them se është një bashkëqeverisje e suksesshme dhe ka pajtim me partnerët e koalicionit për t’i shtyrë përpara temat serioze që kanë të bëjnë me të ardhmen e Republikës së Maqedonisë, si dhe që kanë të bëjnë me paqen dhe stabilitetin e rajonit në tërësi”, është shprehur Ahmeti. Ai ka thënë se prioritet i koalicionit qeverisës është integrimi euroatlantik dhe, sipas Ahmetit, gjatë kësaj periudhe Maqedonia ka shënuar progres dhe është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE. Ai ka bërë me dije se zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë do t’i zhbllokojë dyert e NATO-s dhe BE-së për Maqedoninë.
Nëse kjo çështje përfundon me sukses, Ahmeti ka thënë se Maqedonia me automatizëm do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO si dhe në qershor mund t’i hapë negociatat për anëtarësim në BE. “Siç jeni në dijeni, jemi në një proces shumë të rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjes së emrit. Jemi drejt gjetjes së një kompromisi dhe pajtueshmërie me fqinjën tonë, Greqinë. I gjithë opinioni e di se tanimë pengesa e vetme për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në NATO është problemi i pazgjidhur me Greqinë. Kjo na paraqitet si pengesë edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Kështu që, prioritet i kësaj qeverie ka qenë arritja e zgjidhjes së kontestit me Greqinë për shkak të emrit. Të gjitha palët jemi duke u angazhuar dhe duke kontribuar që sa më parë të mbyllet kjo temë, sepse kështu kontribuojmë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Kjo i kontribuon edhe anëtarësimit në NATO dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në BE”, ka deklaruar ai.
Ahmeti ka folur edhe për progresin që ka arritur komuniteti shqiptar në Maqedoni. Ai ka thënë se në këtë drejtim janë bërë punë të mëdha, por ende mbetet shumë për t’u bërë. Lideri i BDI-së ka theksuar se hyrja në fuqi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe është çështje kohe. “Shqiptarët në Maqedoni kanë flamurin e vet kombëtar shqiptar, kanë dy universitete shtetërore shqiptare, një në Tetovë dhe një në Shkup, kanë policët dhe ushtarët e vet. Po ashtu, është çështje kohe se kur do të dekretohet Ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kur do të hyjë në fuqi”, ka thënë Ahmeti.
“Epoka e re”: Z. Ahmeti, çfarë vlerësimi keni për punën e koalicionit qeveritar dhe sa jeni të kënaqur me këtë bashkëqeverisje?
Ahmeti: Ka zhvillime shumë më të mëdha sesa unë të ndalem tani të bëj një analizë për bashkëqeverisjen e deritashme. Megjithatë, në pika të shkurtra mund të them se është një bashkëqeverisje e suksesshme dhe ka pajtim me partnerët e koalicionit për t’i shtyrë përpara temat serioze që kanë të bëjnë me të ardhmen e Republikës së Maqedonisë, si dhe që kanë të bëjnë me paqen dhe stabilitetin e rajonit në tërësi. Siç jeni në dijeni, jemi në një proces shumë të rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjes së emrit. Jemi drejt gjetjes së një kompromisi dhe pajtueshmërie me fqinjën tonë, Greqinë. I gjithë opinioni e di se tanimë pengesa e vetme për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në NATO është problemi i pazgjidhur me Greqinë. Kjo na paraqitet si pengesë edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Kështu që, prioritet i kësaj qeverie ka qenë arritja e zgjidhjes së kontestit me Greqinë për shkak të emrit. Të gjitha palët jemi duke u angazhuar dhe duke kontribuar që sa më parë të mbyllet kjo temë, sepse kështu kontribuojmë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Kjo i kontribuon edhe anëtarësimit në NATO dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.