Ali Ahmeti: Mos e përçani votën shqiptare

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në tubimin e mbajtur në Shuto Orizarë me ç’rast ka  ndarë shqetësimin me anëtarë e simpatizantë të partisë së tij për atë që ai e ka quajtur parcializimin të votës shqiptare.

Në nivel kombëtar, tha ai, BDI-ja mbetet forca e parë, por: ‘Çka më shqetëson, çka më trazon? Parcializimi i votës së shqiptarëve! Kjo më trazon shpirtin, sepse kështu shqiptarët përherë i kanë dashur të tjerët, që kanë dashur të dominojnë mbi shqiptarët, t’i sundojnë shqiptarët. Si mundesh shqiptarët t’i fusësh nën sundim më lehtë? Duke i përçarë!’- tha Ahmeti duke rikujtuar thirrjen e mëhershme të tij të para dy vjetëve për unifikim të subjekteve politike shqiptare, që të mos ndahen e përçahen, por të bashkoheshin, qoftë edhe për të fituar BDI-në, për shkak se në pes a gjashtë pjesë të ndara – humbin shqiptarët: ‘Pas dy vitesh u vërtetua. Nga 28 mandate, sot shqiptarët kanë 20 mandate. Nuk humbi BDI, humbën shqiptarët, humbën! Dhe, kjo është e dhimbshmja – kur humbin shqiptarët,’- tha Ali Ahmeti në tubimin e BDI-së  në Shuto Orizarë.

Ai vërejti se edhe në këto zgjedhje lokale po vazhdon tendenca e parcializimit të votës shqiptare pikërisht për shkak të morisë së kandidaturave shqiptare. Një tendence të këtillë, tha ai, duhet t’i ndalet turri: ‘ Ka ardhur koha që shqiptarët të etablohen drejt politikisht dhe organizativisht. Ka ardhur koha që shqiptarët ta kuptojnë se copa-copa të ndarë janë të parëndësishëm, qoftë për veten e vet, qoftë karshi komunitetit ndërkombëtar, apo forcave mjaft të organizuara të komunitetit maqedonas. Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë akoma që përfaqësuesit e tyre shqiptarë të mbrojnë interesat e tyre në këtë shtet,’  deklaroi kryetari Ahmeti.

Duke folur për peshën e zgjedhjeve lokale të 15 tetorit, kreu i BDI-së tha se au duhet t’u ofrojnë zgjidhje çështjeve që i preokupojnë qytetarët, nga ato të infrastrukturës, urbanizëm-planifikimit e deri tek çështjet që lidhen me arsimin e shëndetësinë.

Duke shpjeguar mos nxjerrjen e kandidaturës për të parin e Qytetit të Shkupit, Kumanovës, Ohrit, Prespës, kreu i BDI-së shpjegoi se kjo është bërë për qëllime pragmatike: ‘Në vazhdimësi unë jam përpjekur të bëj politikë pragmatiste, politikë të kapshme për njerëzit. Ne kryetarin e Qytetit të Shkupit nuk mundemi ta fitojmë. Atëherë, ne ndihmojmë partnerin e koalicionit në Shkup e ai na ndihmon ne ku ka mundësi – në Tetovë, në Çair, Gostivar, Kërçovë. Në rrethin e dytë, gjithashtu ndihmojmë njëri-tjetrin. Unë nuk mund të punoj me standarde të dyfishta: jam në koalicion me LSDM-në po t’i ndihmojë VMRO-së. Këtë nuk e bëj asnjëherë, sepse kam respektuar njerëzillëkun në radhë të parë!’- tha Ahmeti në Shuto Orizarë duke rikujtuar se kështu ka vepruar edhe me VMRO-DPMNE-në: ‘Ne kur bëjmë marrëveshje, qëndrojmë pas tyre. Ne kur s’bëjmë marrëveshje, le të matet pala tjetër mirë!’- nënvizoi kryetari i BDI-së,- përfundoi kryetari i BDI-së, duke siguruar se integristët me fitoren në zgjedhjet e 15 tetorit do të vazhdojnë avancimin e çështjes shqiptare dhe të jetës së qytetarëve në përgjithësi.

In : Aktuale

Loading...
loading...