Ali Ahmeti nga Tirana: UÇK-ja është lavdia e shekullit shqiptar, liria e tyre është liria jonë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pas protestës së sotme në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku morën pjesë qytetarë nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi, përcolli një mesazh të fuqishëm uniteti dhe krenarie kombëtare.
Ahmeti theksoi se protesta ishte shprehje e mbështetjes për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me drejtësinë në Hagë, duke nënvizuar se lufta për liri dhe dinjitet nuk mund të gjykohet nga akuza të fabrikuara.
“Nga sheshi Skënderbej në Tiranë: një zë, një qëndrim, një komb! Sot, Tiranë, Prishtinë e Shkup jemi bashkë si dikur, për liri, drejtësi dhe dinjitet kombëtar. Gjykata speciale s’mund të gjykojë lirinë e Kosovës në bazë të akuzave të fabrikuara nga Beogradi dhe Moska,” ka shkruar Ahmeti në rrjetet sociale.
Ai shtoi se UÇK-ja nuk është vetëm pjesë e historisë, por themeli i lirisë shqiptare.
“UÇK është histori, është nder, është themel i lirisë sonë! Liria e Hashimit, Kadriut, Jakupit e Rexhepit është liri e kombit! UÇK është lavdia e shekullit shqiptar. UÇK jemi të gjithë ne,” përfundon Ahmeti.
Protesta në Tiranë u zhvillua në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë, me mesazhin e qartë se drejtësia nuk mund të bëhet përmes padrejtësisë.

































