Aliu: Ligji për duhanin duhet të implementohet nga muaji mars, brenda 2-3 javësh hapja e tenderit për Qendrën e re klinike

Aliu: Ligji për duhanin duhet të implementohet nga muaji mars, brenda 2-3 javësh hapja e tenderit për Qendrën e re klinike
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu në emisionin “1+1” në TVM2 ka thënë se nëse gjithçka shkon në rregull ligji për duhanin do të implementohet në muajin mars dhe se poenta është se duhet të jemi të sigurt se bizneset dhe institucionet shtetërore janë të gatshëm për implementimin e së njëjtës.
“Ligji do të ngelet në letër nëse nuk do të kemi institucione që do ta ndjekin implementimin e ligjit. Unë kam pasur dhe vazhdoj të kem takime me institucione të ndryshme, janë disa Inspektorate që duhet të ndjekin zbatimin e ligjit, te ne është Inspektorati i Shëndetësisë, aty do të duhet në aspekt të infrastrukturës të investohet që të kenë kapacitete edhe njerëzore ku do të lëvizin inspektorët në terren por edhe në aspekt softuerik, një softuer që do të jetë i centralizuar dhe do të kemi informata për implementimin e ligjit. Pra është ende një ide të cilën do të shohim se si do ta implementojmë se a do jetë e disperzuar apo e centralizuar varet nga institucionet”, ka thënë Aliu duke shtuar se janë disa Inspektorate që duhet të ndjekin implementimin e ligjit.
Qendra e re klinike, domosdoshmëri
Sa i takon Qendrës së re klinike ai thotë se është domosdoshmëri, ndërsa brenda 2-3 javësh do të bëhet hapja e tenderimit për analizë.
“Jemi duke bërë dokumentimin për hapjen e thirrjes për kompanitë që do të bëjnë analizën e infrastrukturës në Spitalin ‘8 shtatori’. Jemi më të sigurt se atje na çojnë rrugët për të pasur një klinikë, pasi objekti në aspekt të statikës është mirë i ndërtuar dhe hapësirës së lirë që komplet të ndërtohen objekte të reja. Pas kësaj do të dimë se sa do kushtojë, sa objekte do të duhet të kemi dhe cilat shërbime ku do të jepen në pjesën e vjetër apo të re”, ka nënvizuar ministri Aliu.
Jemi në pikun e gripit
Sa i takon gripit sezonal, Aliu ka thënë se jemi në pikun e gripit dhe apelon që qytetarët të vaksinohen.
“Këtë vit kishim një numër më të madh të vaksinimit për dallim nga vitet e tjera. Por nuk është i kënaqshëm, sepse patëm raste ku dy pacientë humbën jetën si pasojë e mosvaksinimit, nuk kishin mbrojtje dhe apeloj që qytetarët të vaksinohen sidomos ata më të moshuar apo gratë shtatzëna”, tha Aliu.





























