Aliu: RMV ndër të parat në Evropë që miraton standardin “Butoni i Verdhë” në shëndetësinë digjitale

Maqedonia e Veriut është bërë një nga shtetet e para në Evropë që ka miratuar standardin më të ri evropian në shëndetësinë digjitale, të njohur si “Butoni i Verdhë”, një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të sistemit shëndetësor dhe integrimit me Bashkimin Evropian.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, njoftoi se sistemi kombëtar “Termini Im” ka kaluar me sukses të gjitha testet në ngjarjen ndërkombëtare IHE-Europe Connectathon 2025 në Vjenë, duke fituar Etiketën e Argjendtë Industriale (Silver Industry Label), një vlerësim i lartë për përputhshmëri teknike me standardet e BE-së.
Ky sukses nënkupton më shumë siguri, kontroll dhe transparencë për çdo qytetar që dëshiron të ketë qasje në të dhënat e tij shëndetësore kudo, kurdo dhe madje edhe jashtë vendit.
Përmes një postimi në Facebook, ministri Aliu theksoi: “Kur vendosim standarde para se të bëhen të detyrueshme, tregojmë se nuk po ecim prapa BE-së, por përparojmë bashkë me të”.
Me këtë arritje, Maqedonia e Veriut forcon pozicionin e saj si lider rajonal në digjitalizimin e shëndetësisë dhe harmonizimin me politikat evropiane.