Allo, Usta Naim Bej Frashëri – shqipja është n’hall

Shqipja tregtohet për pesë pare, nga njerëz – siç na thotë pas shpine Kryeministri Zaev, në ato bomba popullore – gjoja se “shqiptarët nuk vlekan, as pesë pare”. Ja në këtë derexhe e kemi sjellë shqipen dhe vetveten, që kojshitë të na tallin e përgojojnë pas shpine, që nuk vlekemi më, as për pesë pare ! Merre vesh – nëse je Bektesh

Nga Shaqir ISLAMI

Këtë shkrim e kam me Usta Naim Bej Frashërin ! Thjesht për të qarë hallet dhe dertet e shqipes. Në këtë kohë pandemie dhe kleptokracie, njeri ka nevojë me dikë t’i qajë hallet dhe dertet patriotike. Nuk shoh çare tjetër! Përveç tij, s’ka mbet me kë të qash hallin e gjuhës shqipe! Mbase, askush s’e çan trapin për të: Edhe, për arsyen e vetme se, gjuhën shqipe më mirë se Ustai s’e ka kënduar kush! Dhe plus, pse është nam-madh – dhe fund-i-fundit ka qenë Stambolli.

Me sa shoh, ndër ne askujt nuk i ‘plas fare’ për gjuhën shqipe, përveç se, ma mori mendja ‘bylbylit të saj’. Prandaj, jam rehat se nuk e kam gabuar adresën! Ndonëse ka plot të tjerë.

Dua thjeshtë t’i bëjë me dije se, në nismën e shekullit të 21’të – një popull i tërë është duke e zhbërë gjuhën e vet amtare: një grupe bën nga mosdija; një grup nga moskujdesi; një grup nga qejfet; një grup nga interesi; dhe vallahi, një grup i madh e bën nga tradhtia. Bile, pak si shpesh dëgjohet një refren – gjoja se pa hile dhe pa sherr – që sillet rreth-e-rrotull në mjedisin tonë informacionit: “Punë e madhe, për gjuhën shqipe”!!!

Megjithatë,sa gjak, djersë dhe mund kanë derdhur breza- e-breza të mjerësh-shqiptarë, për këtë gjuhë të lashtë ! Që sot – të shpërfillet dhe të përbuzet – nga këto breza që bashkëjetojnë dhe bashkëveprojnë në epokën e dhjerë të konsumerizmit.StrugaLajmStrugaLajm

Kush tradhton gjuhën, tradhton familjen, fisin dhe kombin. Kjo nuk është shaka! Historia nuk falë – por do na mallkojë për një zullum të këtillë. Të gjithë bashkë jemi duke kryer linguacid ndaj shqipes.

Sot,ndeshim, dëgjojmë dhe shohim haptazi dhe ashiqare se disa sojsëzë dhe palaço bëjnë xhambazllëqe në kurriz të shqipes, për të krijuar thjesht rehati dhe begati për veten.

Usta Naimie pat qarë gjuhën shqipe në letra, më shumë se një shekull më parë: “Gjuha jonë sa e mirë; sa e ëmbël sa e dlirë; …”Sot, për shumë “patriotë shqiptarë”, kolltuku është më i lezetshëm, se sa ajo ‘shqipja e ëmbël’ e Ustait!StrugaLajm

Në këto zaman’e baksuze, shumë shqiptarë për kolltuk – vetëm sa të kesh parasysh Usta NaimBej, ama shqiptarët nuk janë më sikur ata të moçmit e vaktit tënd – ata ta shkërdhejnë gjuhën shqipe për një kolltuk, qoftë edhe për një kohë prej një javësh; mbase-mbase edhe për ndonjë rrogë pa u dukur fare në vendin e punës. Ja kaq peshon ajo ‘shqipja jote’: “gjuha jonë sa e mirë, ..”Këto t’i them vetëm sa, për t’i pasur hesapet e pastra dhe këto që ti rrëfej ndodhin me ‘neve’ të Maqedonisë së Veriut.

Andej, nga mëhalla jote, punët janë edhe më m..! Ata gjuhën e kanë dhjerë dhe shitur qysh moti; tashti e shesin edhe detin. Më beso Usta – nuk janë rrena, janë ‘sahi’! Dhe kam një porosi të veçantë – helbete nëse e sheh atë të madhin Skendo’, bëni haber se punët e shqiptarizmit janë duke larë lesh. Le të vjen sa më shpejt se, i vetmi Ai na bie n’mend. Kaq.

Shqiptarizmi epten ka ndryshuar – fare nuk i ngjanë vaktit tënd! Shumë, shumë, kanë ndryshuar punët … s’po ta merr mendja!! Patriotizmi shqiptar është shndërruar në xhambazllëk pazaresh – le të jetë çka të jetë; jep çka të japësh; kap çka të kapësh dhe në fund, si gjithmonë, bëhet ‘Akshampazari’ ! Patriotët arsyetohen se – kështu na paskësh ardhur zamani! Turçe thuhet: “gellër zaman, satëllërsaman”, (vër.e për. vetëm për ata që nuk dinë turçe), “vjen koha, kur shitet edhe kashta”.

Në këtë zaman, çdo gjë shitet dhe blihet me pare: njerëzillëku, rezillëku, nderi, nami, namuzi, atdheu, kombi,… E jo më, gjuha shqipe!!!

Kjo është gjendja reale e gjuhës shqipe ndër ne. Shqipja tregtohet për pesë pare, nga njerëz – siç na thotë pas shpine Kryeministri Zaev, në ato bomba popullore – gjoja se “shqiptarët nuk vlekan, as pesë pare”. Ja në këtë derexhe e kemi sjellë shqipen dhe vetveten, që kojshitë të na tallin e përgojojnë pas shpine, që nuk vlekemi më, as për pesë pare ! Merre vesh – nëse je Bektesh.

Prandaj, shumica e “patriotëve-funksionarë” tanë pasi e dëgjuan këtë bombë-popullore “për pesë paret” vendosën që të mos e zbatojnë Ligjin për zbatimin e shqipes nëpër institucionet e shtetit. E kanë tamamile, askush nuk do ta flas gjuhën e atyre që “nuk vlejnë as për pesë pare”.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...