BLENDI PETROL
Aktuale

Alsat M:MASH-i po heshtë për Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, çfarë po ndodhë?!

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur të tregohet e shurdhur ndaj informacioneve të publikuara në Alsat për shkeljet e mundshme në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës. Për pothuajse një javë, nga ky institucion nuk përgjigjen për të sqaruar parregullësitë, si me rastin e përzënies së inspektorëve po ashtu edhe me aspekte të tjera. Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, refuzon të prononcohet tani për punën e UNS-së.

Heshtja nga dikasteri i Arsimit po zgjat për më shumë së pesë javë, që kur Alsat ka dërguar pyetjet e para në lidhje punën e disa universiteteve në vend. Përgjigje nuk morëm as në kohën e ish ministers Renata Deskoska dhe as tani me ardhjen në funksion të ministrit, Ademi, edhe pse Alsat vazhdimisht ka këmbëngulur për sqarime. Disa nga pyetjet që javë më parë, me kërkesë zyrtare për qasje deri te informatat me karakter publik, janë nisur në adresë të dikasterit të Arsimit janë:

A ka fakultete ose programe studimore të paakredituara në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës?

A i plotëson UNS-ja të gjitha kushtet administrative për funksionimin e dy inspektorateve që janë në kuadër të universitetit?

A ka UNS-ja numër të mjaftueshëm të stafit akademik për funksionimin e të gjithë njësive të arsimit të lartë?

A kanë ekuivalencë të përgatitjes paraprake akademike të angazhuarit në UNS?

A kanë profesorët e angazhuar më kohë të pjesshme pëlqim nga universiteti amë për angazhimin e tyre në UNS?

A dorëzojnë studentët ekuivalencë të arsimit të tyre paraprak gjatë regjistrimit në UNS?

Sqarime për procesin gjyqësor mes UNS-së dhe MASH-it për shfruqizimin e vendimit të përkohshëm për ciklin e tretë të studimeve!

Të gjitha këto dilema, kanë si bazë informacionet e siguruara nga Alsat se brenda universitetit, ka shkelje të theksuara për rastet e lartpërmendura.

Të mërkurën e kaluar, nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës, me kërcënime dhe ofendime u përzunë dy inspektorë të arsimit të ciltn kishin shkuar për një inspektim të jashtëzakonshëm. Policia po heton për rastin kurse Universiteti refuzoi ta sqarojë publikisht atë. Sipas inspektorëve, rezistenca e UNS-së ndaj vërejtjeve të inspektoratit ishte gjë që përsëritej tashmë disa vite për shkak se këto të fundit disa herë kishin mbushur raportet e tyre me shkelje të caktuara. Universiteti nuk ka as numrin e mjaftueshëm të njësive të brendshme të arsimit të lartë, duke marrë parasyshë se ka vetëm katër fakultete funksionale dhe dy inspektorate të cilët për disa vite nuk ushtrojnë asnjë aktivitet. Perregullësi të caktuara ka edhe me stafin akademik, shumica e të cilëve janë angazhuar me kohë të pjesshme, me çka fakultetet nuk kanë mjaftë profesorë të rregullt, ashtu si e kërkon ligji. Siç ka mësuar Alsat M, profesorëve që angazhohen por edhe studentëve që regjistrohen, universiteti në të shumtën e rasteve nuk u kërkon vërtetim për përgatitjen paraprake arsimore ose akademike. Kontesti gjyqësor mes UNS-së dhe MASH-it për ciklin e tretë të studimeve kishte përfunduar në favor të universitetit. Kjo pasi ministria edhe pse kishte konstatuar se UNS-ja nuk i plotëson kushtet për ciklin e tretë të studimeve, nuk kishte dorëzuar në gjykatë të gjithë raportet mbi të cilat ka marrë vendimin. Për të gjitha këto, ish ministri i Arsimit Nenad Novkovski deklaron se MASH-i ka mundësi që të ngrejë iniciativa të reja inspektimi, për të vërtetuar të dhënat për të cilat opinion u njoftua së fundmi.

Më habit që kanë ndodhur këto gjëra. Nëse tashmë janë ndërmarrë masa të caktuara, pritet që organet e isnpektimit t’I kenë pasur të gjithë dokumentet e nevojshme për t’ja dorëzuar gjykatës dhe kjo të ishte bërë sipas rregullave që gjykata të mund të vendosë ashtu si kanë vendosur shërbimet e ministrisë. Nëse ka parregullësi të caktuara duhet të ndërmerren të gjitha masat, të bëhen inspektime në bazë të ligjit dhe të ngrihen procedura të nevojshme – deklaroi Nenad Novkovski, ish ministër i arsimit.

Raportet e Inspektoratit të Arsimit, me parregullësi eventuale që evidentohen në terren dërgohen në adresë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Është e paqartë se pse që nga viti 2009 kur ky institucion ka filluar me punë, MASH ka heshtur dhe nuk ka ndërmarrë asgjë për pengimin ose evitimin e shkeljeve eventuale në UNS./Alsat-M

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button