AMBASADORJA E DINJITETIT NJERËZOR

Aziz Pollozhani
Nënë Tereza: “Me gjak jam shqiptare, me kombësi jam indiane, me besim jam e krishtere dhe me vokacion i përkas botës.”
ME RASTIN E 5 SHTATORIT-DITËN NDËRKOMBËTARE TË BËMIRËSISË
,Bazuar mbi :
REZOLUTEËN A/RES/67/10 TË OKB
Nënë Tereza: “Me gjak jam shqiptare, me kombësi jam indiane, me besim jam e krishtere dhe me vokacion i përkas botës.”
Si bashkëkombas dhe bashkëqytetar nga vendi që e lindi Gonxhe Bojaxhiun, Shën Nënë Terezën, duke qenë i vendosur në Misionin përfaqësues në Gjenevë në vitin 2010, që shënonte njëqindvjetorin e lindjes së saj, ndjeva një shtytje spontane, një motiv të pazakontë, një thirrje se “duhej bërë diçka” – diçka që do të na nderonte ne si bashkëvendas të saj, diçka që do të shpaloste madhështinë e një gruaje të vogël që “jetoi për të tjerët”. Ajo kishte lindur dhe frymëzuar në një provincë të Perandorisë Osmane më 1910, në Shkup, në një familje shqiptare, dhe me veprën e saj gjatë gjithë jetës besohej në fuqinë e dhimshurisë dhe bamirësisë, për dashurinë ndaj atyre që ishin të privuar nga të mirat e kësaj bote.
I vetëdijshëm për madhështinë e saj dhe për afirmimin që ajo kishte marrë duke u nderuar me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, dhe për faktin se veprat e saj kishin kaluar kufijtë e vendlindjes, ajo tani “i përket gjithë botës”, siç shprehej vetë gjatë marrjes së Çmimit Nobel. Prandaj, idenë time për të shënuar njëqindvjetorin e lindjes së Nënës Terezë në Organizatënen e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë , së pari e ndava me Ambasadorin e Shqipërisë, zotin Sejdi Qerimaj, pastaj me përfaqësuesit e Vatikanit dhe të Indisë, duke reflektuar kontributet e vendeve ku ajo lindi, u edukua dhe veproi. Ideja u mbështet pa hezitim dhe u pasurua me propozime të tjera që e bënë aktivitetin më të pasur.
Ky event u njoh dhe u aprovua nga Zyra Kryesore e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, e cila ngarkoi Presidentin e Komitetit për Aktivitete Kulturore dhe Drejtorin e Bibliotekës së OKB-së në Gjenevë, Pierre Le Loarer, i cili bashkë me ne mirëpriti mbi 150 ambasadorë dhe diplomatë në ceremoninë madhështore të organizuar në sallën solemne të KB më 8 janar 2011. Ai lexoi një tekst prekës për Nënë Terezën, të cilën e quajti “ambasadore e dinjitetit njerëzor”. Fjalë të zgjedhura u thanë edhe nga të gjithë ambasadorët pjesëmarrës, përfshirë përfaqësuesit e Shqipërisë, Vatikanit, Indisë dhe mua si ambasador i Maqedonisë. Për jetën, veprën dhe porosinë e saj foli i ftuari special, z. Besnik Mustafai, ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Përveç kënaqësisë së pjesëmarrjes së një numri të madh përfaqësuesish, diplomatësh, intelektualësh dhe pjesëtarë të diasporës, ajo që dua të theksoj është se në këtë mbrëmje përkujtimore, përfaqësuesi i Zyrës Qendrore të OKB-së në Gjenevë, z. Pierre Le Loarer, na bëri me dije se aktiviteti është një shembull i shkëlqyer organizimi dhe do të shërbejë si pikënisje për të mbështetur idenë tuaj që dita e vdekjes së Nënë Terezës, 5 shtatori, të shpallet Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë nga OKB. Më pas morëm njoftimin se Shqipëria kishte inicuar propozimin dhe se ai u përkrah nga të gjithë anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
ASAMBLEA E PËRGJITHSHME E OKB MIRATOI REZOLUTËN A/RES/67/10
Miratimi i Rezolutës A/RES/67/10 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 7 mars 2013 përbën një ngjarje me rëndësi të madhe në historinë e diplomacisë ndërkombëtare dhe të afirmimit të figurës së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Terezës. Përmes këtij akti, komuniteti ndërkombëtar njohu dhe vlerësoi kontributin e saj universal në fushën e bamirësisë dhe humanizmit.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e pozicionon veprën e Nënë Terezës si model të përbotshëm të solidaritetit dhe kujdesit për të varfrit, duke e shndërruar atë në pjesë të trashëgimisë morale të njerëzimit.
Në këtë kuptim, Rezoluta e OKB-së është një kanonizim laik i figurës së saj, krahas atij fetar nga Kisha Katolike në vitin 2016.
Përmes këtij akti, bamirësia afirmohet jo vetëm si vlerë fetare ose morale, por edhe si element themelor i politikave ndërkombëtare për zhvillim dhe paqe. Rezoluta A/RES/67/10 tejkalon formalitetin diplomatik; ajo është një njohje institucionale e humanizmit si forcë transformuese e shoqërive dhe një homazh për jetën e një figure që i përket njëkohësisht kombit shqiptar dhe njerëzimit mbarë.
Miratimi i kësaj rezolute ka edhe një dimension të veçantë për shqiptarët. Ai përfaqëson një njohje të përbotshme të rrënjëve shqiptare të Nënë Terezës, duke e bërë emrin e saj një urë lidhëse mes kombit shqiptar dhe botës. Në këtë kuptim, rezoluta afirmon identitetin tonë kombëtar përmes figurës më të ndritur që i ka dhënë njerëzimit.
Nëpërmjet këtij akti, bota pranoi se jeta e saj nuk ishte thjesht një histori fetare, por një epope e bamirësisë universale. Ajo që nisi si Gonxhe Bojaxhi në një familje të thjeshtë shqiptare u bë Nënë për miliona njerëz pa zë, pa strehë, pa shpresë. Dhe tani, përmes Rezolutës së Kombeve të Bashkuara, kjo vepër është bërë një amanet i përjetshëm për kombet dhe brezat.
Edhe sot, një këtë botë ku pabarazitë, konfliktet dhe indiferenca ndaj shkeljeve brutale e të drejtave të njeriut dhe e të drejtave të fëmijëve , sikurse është rasti tragjik në Gaza, Rezoluta A/RES/67/10 shërben si një thirrje e vazhdueshme për të rikthyer humanizmin si busull të shoqërisë moderne. Ajo na kujton se veprat e Nënë Terezës nuk duhet të mbeten vetëm frymëzim historik, por udhërrëfyes për politika publike, veprime komunitare dhe jetën individuale.
Dhe kështu, më 7 mars 2013, Kombet e Bashkuara nuk nderuan vetëm një shenjëtore; ato nderuan vetë shpresën. Sepse Nënë Tereza na mëson se çdo njeri mund të bëhet një dritë, nëse zgjedh të jetojë për të tjerët.
Rezoluta është kujtesa e gjallë që bota nuk harron ata që ndriçojnë me përulësi.




























