Amerika u ka gjetur 5.5 mld USD krerëve të politikës shqiptare

Mbatja pezull e projektligjit për magjistratët e ka kthyer politikën shqiptare në një arenë përplasjesh. Partia qeveritare dhe ato opozitare nuk po e arrijnë dot dakordësinë për votimin e këtij projektligji i cili do të zgjidhë ngërçin në Gjykatën Kushtetuese. Pengesë për kalimin e projektligjit të lartpërmendur po bëhet opozita, veçanërisht Partia Demokratike, e cila së fundmi ka kërkuar edhe zhbërjen e reformës në drejtësi. Mirëpo për avokatin Spartak Ngjela një qëndrim dhe kërkesë e tillë nuk trego asgjë tjetër veçse frikë nga reforma. Gjatë një prononcimi të dhënë ditën e djeshme për gazetën “SOT”, Ngjela deklaroi se Sali Berisha, Ilir Meta dhe Lulzim Basha janë të zhytur në korrupsion dhe për këtë arsye po tentojnë që të shpëtojnë nga reforma në drejtësi duke u përpjekur ta bllokojnë zbatimin e saj. Por ai shtoi se problemin me projektligjin do e zgjidhin amerikanët ashtu siç bënë me çadrën e Partisë Demokratike. “Është qëndrim antiamerikan i vjetër. Të gjithë janë të korruptuar dhe natyrisht që e kanë luftë për ekzistencë. Por nuk ju kanë ndonjë faj shqiptarët sepse ata i vodhën shqiptarët. Problemi është që nuk tërhiqen dot. Projektligji nuk u votua, por as nuk u rrëzua. Fakti që nuk u rrëzua si votim të lë të kuptosh që amerikanët kanë kërkuar që të zgjidhet me kohë. E zgjidhin ata tani. E patë sesi e zgjidhën problemin e çadrës? Njëlloj do të zgjidhin edhe këtë tani. Këta janë të gjithë të kapur. Edhe Rama është i kapur, edhe Saliu është i kapur, edhe Basha është i kapur, edhe Meta është i kapur. Këta janë të gjithë të kapur, e përsëris, nuk kanë fuqi. Prandaj janë kundër reformës”, tha kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi.

Reforma nuk ndalet

Avokati Spartak Ngjela e vijoi më tej arsyetimin e tij duke theksuar se pavarësisht tentativave të shumta të politikanëve të korruptuar, reforma në drejtësi nuk ndalet dot. Sipas tij, me anë të reformës të korruptuarve shqiptarë u janë gjetur plot 5.5 miliardë dollarë në kompani ofshore. Më tej ai komentoi edhe ritmin më të shpejtë të punës të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kohët e fundit. Ngjela u shpreh se nëse vijohet kështu, brenda një muaji procesi i rivlerësimit për të gjithë emrat prioritarë të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të mbyllet. “Mirëpo ata reformën nuk e ndalojnë dot. Kot lodhen. Sot ka filluar me hap më të shpejtë vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe unë besoj se për një muaj ose për një muaj e gjysmë, nëse ecet me këtë ritëm, do të mbarojnë të gjithë. Deri tani është ndaluar për mungesë fondesh, por ata i dhanë fondet tani. Më duket i dhanë rreth 3 milionë e gjysmë dollarë dhe jo vetëm kaq, por paratë tani janë sepse këta i kanë gjetur rreth 5.5 miliardë dollarë iu kanë gjetur korrupsionet nëpër offshore. Shqipëria i ka paratë. Me ato para do të bëhet reforma dhe do të bëhet edhe zhvillimi i Shqipërisë. Nuk janë para që do të ikin dëm. Kjo është arsyeja. Këta janë të gjithë të trembur, natyrisht që e kanë të drejtë të tyre të tremben, por më në favor e kanë të largohen. Nëse dorëhiqen mund të zbusin sadopak goditjen”, deklaroi Spartak Ngjela dje. Ndërkohë, edhe dy ditë më parë avokati, përmes një postimi në rrjetet sociale, nënvizoi se forca e politikës amerikane do të tregohet, njësoj siç ndodhi në kohën e çadrës.

In : Aktuale

Loading...
loading...