APEL MEDIUMEVE NË GJUHËN SHQIPE NË MAQEDONI

APEL MEDIUMEVE NË GJUHËN SHQIPE NË MAQEDONI:

KURSENE PUBLIKUN NGA SPEKULIMET DHE MARRËZITË!

Sapo u krijuan kushtet për t’u diskutuar edhe çështja e formimit të Qeverisë së ardhshme në Maqedoni, në mediumet në gjuhën shqipe filluan të vërshojnë lajme, analiza dhe shkrime me përmbajtje tejet të ulëta, primitive, tragjikomike, në stilin: ky, ose ai do të jetë kandidat për ministër nga radhët e X partisë, që për një afat të shkurtë nuk mbeti resor ministrie pa së paku dhjetë kandidatë të mundshëm për ministra, gati në të gjitha ministritë.

Për çdo respekt nëse një analist i mirfilltë e trajton këtë çështje në mënyrë serioze, ose vetë mediumet e trajtojnë këtë çështje në nivel profesional, jo në nivel të spekulimeve. Ofertat dhe kërkesat për punë, ose poste të rëndësishme në pushtet, nuk guxojnë të jenë pjesë e spekulimeve, sidomos kur ato bëhen me porosi të vetë kandidatëve për ,,ministra”, ose funksionarë të tjerë të pushtetit, duke e keqpërdorur pozitën e mjerueshme financiare të opinionistëve, gazetarëve dhe disa mediumeve në gjuhën shipe, sidomos të portaleve.

Tragjedia është më e madhe kur këto spekulime bëhen përmes shkrimeve autoriale, opinioneve të tyre, në të cilat hapur bëhen kërkesa për marrjen e posteve të rëndësishme në qeveri, ose në organe të tjera të pushtetit.

Kjo dukuri nuk përkon me etikën e gazetarisë, aq më pak me etikën intelektuale dhe njerëzore, kur vetë një kandidat kërkon punë, angazhim në një post të rëndësishëm përmes shkrimit autorial. Vërtet ky është një matrapazllëk i llojit të veçantë, një turp që nuk duhet t’u servohet lexuesve.

Kurseni lexuesit nga këto marrëzira, se u bëmë gazi i botës. Ky veprim është nën çdo nivel të komunikimit publik!

(8 maj 2017)

In : Aktuale

Loading...
loading...