Apel publik: Fillimi i një fundi

Jam i tronditur nga  ndodhitë e mbrëmshme në Parlamentin e Maqedonisë që eskaluan në një dhunë ta pa parë deri sot ndaj përfaqësuesve të popullit dhe gazetarëve. Veprimi i shfrenuar i turmës të cilën po e keqpërdor një politikë e caktuar tani e një kohë më të gjatë, ishte shkelje mbi të gjitha parimet civlizuese e demokratike dhe goditje mbi të sotmen dhe mbi ardhmërinë e shtetit tonë të përbashkët.

Imazhet tmeruese që u shpërndanë anekënd botës, gjakosja e deputetëve, urrejtja e hapur ndaj atyre me qëndrim tjetër politik si edhe ndaj atyre që i takojnë një kombi tjetër, mjerisht, e rumbullakësuan fotografinë e një politike të gabuar që një pjesë të popullit, ka kohë që po e shfrytëzojnë për të mbrojtur vehten.

Nuk duhet të jeshë ndonjë njohës i konspiracioneve për t’ia qëlluar se cili ishte synimi dhe qëllimi i inspiruesve të  protestave që zgjatën gadi dy muaj. E ashtuquajtura “platform e Tiranës” ishte një pretekst të cilin po e përdornin ata  që nuk e kishin të qartë se ora e ndryshimeve pamëshirshëm po e numëron kohën e mbetur deri te fillimi i fundit të prallës nacional-shoveniste e antike.

Pas dhunës së pa parë që e përjetoi Parlamenti i Maqedonisë, jam i bindur se të gjithë në Maqedoni e kuptuan përfundimisht se këtij vendi i nevoitet paqe, siguri, qetësi e mirëqenie, se njerëzve  të Maqedonisë ju duhet prosperiteti i përgjithshëm dhe një ardhmëri e ndritshme për gjeneratat e reja.

Sëkëndejmi, po i drejtohem mbarë opinionit, pa dallim të përcaktimit politik e të përkatësisë kombëtare e fetare, që të qetësojmë gjakrat e të mos lejojmë të na përfshij spiralja e dhunës . Maqedonia është një vend të cilin Zoti e ka bekuar duke e bërë multinacional e multikonfesional, andaj ta shrytëzojmë të gjithë këtë begati, ta bëjmë Maqedoninë vend të denjë për jetesë.

Ardhmëria e ndritshme e këtij shteti mund të ndërtohet vetëm mbi themelet e një shoqërie demokratike me orientime evroatlantike, vetëm mbi dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë të njerëzve që jetojnë këtu. Mos të lejojmë të bëhemi viktima të politikave të shthurura, le t’ju japim krah ndryshimeve.

I bëj  thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë dhe të gjitha institucioneve relevante në vend, në veçanti bashkësive fetare, të bëjmë të pamundurën për të ndalur eskalimin eventual të dhunës e cila mund të sjellë në pyetje ekzistimin e vetë shtetit. Të veprojmë, sot e këtu, për popullin tonë dhe për ardhmërinë e tijë. Nesër mund të bëhet vonë.

h. Sulejman ef. Rexhepi

Reisul Ulema i BFI të RM


Loading...
loading...