BLENDI PETROL
Aktuale

ARBEN TARAVARI:POPULLI DHE POLITIKA

Qindra dhe mijëra shqiptarë të ndershëm besuan tek një lider i luftës që zbriti nga mali ku kishte nxjerrë pushkë në emër të shqiptarëve dhe u ul në karrigen e politikës! Aty, z.Ahmeti pësoi një metamorfozë të jashtëzakonshme! Pikësynimi i tij u bë NATO dhe BE! Papritur harroi të drejtat e popullit të vet, harroi pushkë e mal dhe nisi të trumbetonte bashkëjetesë me çdo kusht, sepse NATO ishte qëllimi i ri! Dhe me të vërtetë NATO është një vizion i drejtë, por në rastin e këtyre – me kosto padrejtësie
Last updated Mar 1, 2018
Shpërndaj
Nga Arben TARAVARI

Prej disa vitesh, të paktën viteve të fundit Politika është bërë një fushë ku duket se të ata që angazhohen automatikisht konceptohen si hajdutë, mashtrues, të korruptuar, omnipotentë, diktatorë! Populli duket se Politikën e koncepton si një shtëpi misterioze e cila vendos për fatet e tij por nuk i përket!

Duket sikur Politika është bastion i vetëm një grupi të caktuar njerëzish, të cilët pasi marrin Pushtet shndërrohen në Monumente Frike, Aferash dhe Korrupsioni që gjithsesi populli i voton!

Konkluzionet janë:

– Populli ka frikë nga Politika!

– Populli nuk përzihet!

– Populli voton më të Fortët.

– Populli ankohet në Kafene.

Le të analizojmë këto konkluza.

POPULLI KA FRIKË NGA POLITIKA. Pse? Në Maqedoni, prej pavarësisë së shtetit ka ardhur pluralizmi politik, në vetvete shenja kryesore e demokracisë. Me këtë rast u shfaqën parti me karakter patriotik që mbushnin sallat me terma- barazi, të drejta të barabarta, drejtësi…ndër këtë lulëzim lirie u shfaq dhe epikja BDI që doli si derivat i një lufte patriotike! Qindra dhe mijëra shqiptarë të ndershëm besuan tek një lider i luftës që zbriti nga mali ku kishte nxjerrë pushkë në emër të shqiptarëve dhe u ul në karrigen e politikës! Aty, z.Ahmeti pësoi një metamorfozë të jashtëzakonshme! Pikësynimi i tij u bë NATO dhe BE! Papritur harroi të drejtat e popullit të vet, harroi pushkë e mal dhe nisi të trumbetonte bashkëjetesë me çdo kusht, sepse NATO ishte qëllimi i ri! Dhe me të vërtetë NATO është një vizion i drejtë, por në rastin e këtyre – me kosto padrejtësie! Shqiptarët nisën të kuptonin që erdhën në pushtet me një konflikt të armatosur nuk dëgjonin më nga njëri vesh. Nisën të dilnin hapur në mbledhje dhe takime me Gruevskin, ky i fundit i konsideroj shqiptarët gjatë gjithë diktatit të tij si racë inferiore dhe i trajtoi si të tillë.

Shqiptarët nisën të dëshpëroheshin. Ata që besonin e nuk besonin tek BDI-ja. Krerët e saj nisën të pasurohen me të shpejtë, nisën që diku për miqësi e diku për bamirësi të ndanin vendet e punës duke ofenduar shqiptarët e shkretë! Ajo pjesë që guxonte dilte kundër kuptoi dorën e ndëshkimit të paskrupullt që vinte nga shqiptari për shqiptarin! Motoja ishte: je me mua është në rregull, je kundra meje ik ose jeto në mjerim! Partitë opozitare si rezultoi ishin në fakt orkestra që luanin muzikën e pushtetit! Populli humbi besimin….këtu filloi dhe faza e dytë:

POPULLI NUK PËRZIHET ME POLITIKË! E kuptueshme sa e padrejtë. Në fakt kjo ishte ajo që dëshironte dhe dëshiron krimi i organizuar politik. Ata duan sa më pak njerëz nëpërkëmbë dhe kjo ndodhi! Pas zhgënjimeve të shumta, kërcënimeve, blerjeve, ndëshkimeve populli vendosi të mos përzihet me Krimin Politik por nga ana tjetër me këtë zgjedhje i la rrugë të lirë Monopolizimit të Fateve të Tyre!

Për jetën e fëmijëve të tyre, për vet ata vendos një pushtet të cilit ata (populli) i qëndron larg. A është kjo një zgjidhje? Sigurisht që jo!

POPULLI NISI TË VOTONTE MË TË FORTËT! Politikanët, partitë kujtoheshin për popullin vetëm për Zgjedhje Elektorale. I dërrmuar nga kjo lojë perverse populli shkonte të votonte ata që i kërcënonin ose që i blinin me vende pune, ndërkohë që e drejta për të punuar ishte dhe është një e drejtë aksiomatike por popullit ia shisnin si nder, si shërbim…popullit të varfër shqiptar! Është gati e pamundur të sakrifikosh shëndetin e fëmijëve por popullit shqiptar veçanërisht, deri aty ia sollën realitetin, i lanë aq të varfër sa mos kenë mundësi ekonomike me u kujdes për fëmijët e tyre!

POPULLI ANKOHET NË KAFENE. Humbja e drejtë e besimit ndaj institucioneve vuri popullin në pozita Mesjetare a më keq duke bërë që të ankohen natë e ditë ndaj politikës së keqe por…në kafene! Tym, cigare, mbushur me burra ku 9 në 10 është i papunë dhe ai 1 që është i punësuar ndjehet i nëpërkëmbur sepse vendin e punës ja kanë shitur si nder! Duhet falënderuar Partia për çdo gjë… Dhe me të drejtë e kuptoj popullin kur thotë: shkoftë në Djall politika, pushteti! Por fatkeqësisht bashkë me të kemi mallkuar dhe veten tonë, është njësoj sikur të themi: shkofshim të gjithë në Djall!

Ka zgjidhje?! Sigurisht që Po! Çdo njeri që bën pjesë në popull është anëtar i pushtetit më të madh që njeh dhe do njohë historia! Thjesht duhet ta kuptojmë! Çdo baba, bir, nënë e vajzë ka të drejtën e shpresës, e aktivizimit direkt në politikë, ndaj dilni nga kurthi i frikshëm ku jeni, merruni me politikë, vendosni për fatet tuaja, mos dënoni politikën por dënoni kriminelët që janë fshehur nën petkun e saj!

Kujtoni fëmijët! Do ta mbyll këtë shkrim me një thënie të psikiatrit dhe psikologut zviceran Karl Jung që thotë: “Kush shikon ç’ndodh jashtë vetes, ëndërron! Kush shikon brenda vetes, Zgjohet!”

Shikoni brenda vetes, armiku dhe miku më i madh gjenden brenda nesh! Mos kini frikë të bëni politikën që doni, kini frikë të toleroni politikën që nuk e doni!

(Autori është kryetar i Komunës së Gostivarit, njëherësh Sekretar gjeneral i Aleancës për Shqiptarët. Ky shkrim është shkruar enkas për gazetën KOHA)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button