Arrestohen 8 shqiptarë, vodhën shtëpinë e lojtarit të Barcelonës (VIDEO)
Shpërbëhet grupi kriminal që kishte kryer 30 vjedhje në Barcelonë. Policia ka bërë me dije se janë arrestuar të gjithë anëtarët e këtij grupi. Në këtë operacion në pranga kanë rënë edhe 8 shqiptarë, që akuzohen për 30 vjedhje të kryera në qytet, një ndër to është edhe në shtëpinë e sulmuesit të Barcelonës, Luis Suarez. “El Pais” thotë se shqiptarët e arrestuar rekrutonin patriotë të tyre duke iu ofruar strehë në këmbim që të kryenin vjedhje. Sipas kësaj media grupi ishte shumë i strukturuar dhe kryenin vjedhje vetëm në shtëpi luksozë në periferi të qytetit, për këtë ata përdornin makina të vjedhura ose ecnin për orë të tëra në këmbë dhe prisnin në pyll momentin e duhur për tu hedhur në “sulm”. Grupi është hetuar që nga tetori i vitit 2017 dhe në janar ata kanë kryer vjedhje në shtëpinë e Suarez, por hajdutët nuk e dinin se e kujt ishte shtëpia në fjalë. Gjithsesi ata arritën të marrin bizhuteri me vlerë në shtëpinë e futbollistit në Castelldefels.