Aktuale

Arrestohen shoferët që fshihnin targat nga “Safe City”, konfiskohen automjete



Gjatë natës mes 13 dhe 14 shkurtit 2026, në intervalin kohor nga ora 19:00 deri në 03:00, policia ka zhvilluar një aksion të gjerë kontrolli në zonat Qendër dhe Bit Pazar në Shkup. Operacioni u realizua nga njësitë e SPB Shkup, në kuadër të një plani të posaçëm për rritjen e sigurisë në pjesën qendrore të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve janë verifikuar identitetet e 24 personave, janë kontrolluar 17 persona dhe katër automjete. Policia ka evidentuar shtatë shkelje në komunikacion, ndërsa dy automjete janë sekuestruar në bazë të neneve 378 dhe 380 të Kodit Penal.
Në kuadër të aksionit, janë privuar nga liria dy shoferë, S.S. dhe M.A., të cilët drejtonin automjete “Mercedes” me targa të Shkupit, nën dyshimin e bazuar për kryerje të veprave penale sipas neneve 378 dhe 380 të Kodit Penal. Gjithashtu, është konstatuar edhe një kundërvajtje sipas nenit 80 të Ligjit për Armët.
Policia njofton se gjatë kontrolleve është ushtruar edhe veprimtari parandaluese me patrullime të vazhdueshme, përfshirë parkun në zonën e Kapishtecit, pranë një lokali në bulevardin “Partizanski Odredi”, si dhe te këndi i lojërave i njohur si “Qyteti i Drurit”, për shkak të grumbullimit të përditshëm të të miturve.
Autoritetet bëjnë të ditur se kontrollet e shtuara aksionare do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button