Koalicioni midis LDK dhe Lëvizjes Vetëvendosje sipas zërave përbrenda dy partive është arritur dhe se pritet vetëm të shpallet përmes një marrëveshje të nënshkruar, mëson INA.
Sipas këtyre burimeve, nesër pritet formalizimi dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshje midis dy liderëve Isa Mustafa dhe Albin Kurti.
“Janë përafruar qëndrimet dhe se marrëveshja do të jetë që cila do prej dy partive të dal me ma shumë vota në zgjedhje, atëherë ajo do ta ketë kryeministrin. Të gjitha detajet e tjera të qeverisjes janë harmonizuar dhe se në zgjedhje pritet të shkohet pa koalicion, por me fushata të ndara si dy parti që do të garojnë”, theksoi për INA, një burim partiak nga LDK.
Por edhe Isa Mustafa sot ka sinjalizuar për marrëveshjen që kanë arritur, duke thënë se kryeministri do ti takojë asaj partie që del e para në zgjedhje dhe merrë më shumë vota.
“Me rëndësi është të definohen objektivat e qarta të qeverisjes. Të ekipohet një qeveri e përgjegjshme ndaj qytetarëve, karshi ligjit dhe karshi partnerëve tanë ndërkombëtarë. LDK nuk hyn në koalicion parazgjedhor pa kandidaten e saj për Kryeministër. Në qoftë se nuk gjejmë zgjidhje në këtë fazë, atëherë mbetet që kryeministrin ta jap LDK ose VV pasi të kryhen zgjedhjet, varësisht se kush është parti e parë”, ka thënë Mustafa në një intervistë për ‘Bota Sot’.
Për çështjen e koalicionit parazgjedhor Isa Mustafa sot ka zhvilluar një takim të shkurtër me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, megjithatë nuk ka pasur diçka konkrete.
Në anën tjetër nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka lënë të kuptohet se qëndrimet ndërmjet dy partive janë duke u afruar, duke dhënë shpresa së një koalicion parazgjedhor është i mundshëm.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 6 tetor të këtij viti, ndërkohë afati i fundit për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore është data 30 gusht.