ARSIMI BRENGA DHE SHPRESA JONË

Me shkas:
Nga monografia ,, RREZE DRITE MBI QIELLIN E OHRIT,,

        ARSIMI BRENGA DHE SHPRESA JONË 

“Filozofia e shkollës në një brez do të jetë filozofia e qeverisjes në brezin tjetër” (Abraham Linkoln)

Meqë mora përsipër të shpalos persiatjen time për rëndësinë e arsimit cilësor për një të ardhme më të mirë, mu duk se thënia e Presidentit të gjashtëmbëdhjetë të SHBA-ve , Abraham Linkoln, është më e përshtashmja për të vënë në pah rëndësinë e arsimit cilësor sot për një të ardhme më të mirë nesër. Cilësia e arsimit padyshim që varet nga struktura përgjegjëse e sistemit në një shtet. Sipas kësaj, ne mund të presim një të ardhme më të mirë vetëm nese atë e përgatisim nëpërmjet një sistemi që vlerëson rolin e arsimit në mbijetesën si të sistemit, ashtu dhe të të ardhmes.
Si rrjedhojë, shtrohet pyetja se nëse ne kujdesemi për sistemin arsimor dhe për cilësinë e arsimit sot? T’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje nuk është e lehtë. Duke qenë për një kohë relativsisht të gjatë bartës i përgjegjësive dhe vëzhgues aktiv i arsimit po marr guximin që t’i them disa mendime bazuar në vrojtimet e mija.
Popullit tonë gjatë historisë i është imponuar nevoja për të qenë në kërkim të të drejtave të veta, qofshin ato politike, kombëtare, shtetëformuese, duke përfshirë nevojën e përmbushjes së të drejtave të njeriut si individ por dhe si kolektiv. Kuptohet që më vonë, të ndarë si popull, format e realizimit të këtyre të drejtave ndryshonin varësisht nga specifikat e sistemit që qeveriste me vendin.
Në pjesën e mbetur jashtë kufijve të shtetit administrativ, të drejtat e shqiptarëve, dhe sidomos e drejta për arsim në gjuhën amtare që në fillim kontestoheshin dhe mohoheshin. Së këndejmi, në këto hapësira, shqiptarët ishin ata që gjithmonë ishin të detyruar të kërkojnë të drejtat në forma të ndryshme. Rruga drejt realizimit të plotë të të drejtave, sidomos të së drejtës për arsim, ishte e mundimshme dhe shumë e gjatë.
Kjo përvojë, veç tjerash, kultivoi te shqiptarët të ashtuquajturën “kulturë reaktive” ose “shprehi kur reagohet ndaj një fenomeni vetëm nëse ai fenomen kontestohet-është i ndaluar”. Në këtë fazë solidariteti ynë për të realizuar të drejtat e mohuara ka qenë vendimatar. Por tani ne jemi në një fazë tjetër kur këto të drejta kryesisht janë realizuar dhe sot gjuha shqiptare është gjuha e nxënies në të gjitha ciklet e shkollimit, nga ai parashkollor deri te ai universitar, në çdo hapësirë administrative ku jetojmë.
Duhet theksuar se këto arritje u realizuan falë përpjekjeve shumëvjeçare për liri dhe për të drejta që rezultoi me transformime të mëdha politiko-sociale ku shqiptarët fituan të drejtën për të vendosur për shumçka që lidhet me fatin e tyre në vendin ku jetojnë. Kjo cilësi e re e raporteve ndëretnike mundësoi zgjidhjen e shumë problemeve tona të grumbulluara duke marrë tani edhe ne përgjegjësinë jo vetëm për aprovimin, por edhe për jetësimin cilësor të tyre në praktikë.
Të gjithë treguesit flasin se në njëzet vitet e kaluara gjendja në arsimin në gjuhën shqipe nuk është e kënaqshme, madje rrjedhat e saj po vlërësohen si përkeqësuese. Kuptohet që kjo nuk na jep të drejtë të përgjithësojmë dukurinë. Nuk mund të themi gjithashtu se kjo po ndodh vetëm me arsimin në gjuhën shqipe.
Bazuar në këto fakte, nuk ka se si të mos pyetemi se pse po ndodh një proces që përjetohet dhe vlerësohet si “degradim” i arsimit në përgjithësi duke përfshirë arsimin në gjuhën shqipe në veçanti?
Kur bëhet fjalë për arsimin në Kosovë dhe për atë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut mund të përmendim një rrethanë lehtësuese që lidhet me historikun e dhimbshëm të arsimit në dy dekadat e fundit të mileniumit që lamë pas. Vitet e tetëdhjeta dhe ato të nëntëdhjetat e tronditën së tepërmi arsimin në gjuhën shqipe dhe ngadalësuan rrjedhën e tij të natyrshme drejt cilësisë dhe transformimit sipas standardeve të reja të asaj kohe. Megjithatë, përshtypja ime është se për shkak të inercionit nga e kaluara duket sikur ne nuk kemi motiv për të kërkuar diçka më tepër, repsektivisht atë që arsimi në ditët e sotme e nënkupton –cilësinë e tij.
Kultura reaktive e ngulitur gjatë dekadash dominon ende në përzgjedhjen e prioriteteve të angazhimit tonë mendor. Si rrjedhojë, pas fitimit të të drejtës për shkollim në gjuhën shqipe në të tri nivelet arsimore, duket sikur u kënaqëm me atë që e fituam si të drejtë, pa u kujdesur dhe pa kërkuar prej saj rezultate më të mira. Ne akoma nuk kemi arritur të përshtasim një qasje tjetër, një qasje e cila potencialin njerëzor të dalë nga sistemet tona arsimore do ta vinte në funksion të nevojave afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit tonë të përgjithshëm, dhe sidomos të gjeneratave të ardhshme.
Një ndryshim i të menduarit dhe të planifikuarit mund të ndodhë vetëm nëse në qendër të këtij koncepti të planifikuar do të ishte edukimi dhe mësimi cilësor. Ky qëllim do të realizohej me një qasje proaktive në vend të asaj reaktive që e kemi kultivuar deri tani. E njëjta nënkupton një koncept të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror ku arsimi cilësor dhe shkenca do të jenë në shtylla kryesore e këtij koncepti. Arsimi cilësor, shkenca dhe teknologjia janë ,conditio sine qua non! (kusht pa të cilin nuk bën) për një të nesërme më të mirë.
Sigurisht që flamurtarë të këtij koncepti strategjik do të duhej të jenë autoritetet vendimmarrëse në të gjitha nivelet të cilat do të duhet të qartësojnë qëllimin dhe mjetet me të cilat duhet të realizohet koncepti duke mos anashkaluar asnjëherë partneritetin me pedagogët e të gjitha niveleve si implementues direktë të konceptit.
Përpjekje të tilla janë realizuar nga autoritetet përkatëse edhe deri tani, por, fatkeqësisht, asnjëherë në mënyrë të plotë, duke mos pasur kornizë kohore dhe pa qëllime të qarta. Rrjedhimisht shumë reforma të deritanishme në arsim kanë qënë me rezultate të mangëta që tani po rezultojnë me një konfuzion total në sferën e arsimit. Së këndejmi, sistemi ynë arsimor, në vlerësimet e testimeve ndërkombëtare (PISA, TIMS etj.), tanimë një kohë të gjatë ka identifikuar rezultate të dobëta duke mos u shkëputur nga fundi i listës së rangimit. Dominant është vlerësimi se nxënësit tanë nuk arrijnë për t’i përdorur njohuritë e tyre në praktikë dhe në komunikim me ambientin. Kjo dukuri njihet si analfabetizëm funksional.
Në shkollimin e mesëm, përveç rënies së cilësisë, kemi një strukturë të programeve shkollore që aspak nuk përkojnë me nevojat e tregut të punës apo me sfidat e së ardhmes. Prodhimi i kuadrove, edhe ashtu i dobët, për një treg që nuk ka nevojë, është ndër shkaktarët kryesorë të migrimit të rinisë sonë, kurse ata dhe ato që mbesin, paraqesin një kontingjent të pavolitshëm për cilësinë në shkollimin universitar në vendlindje .
Kuptohet se rangimet në pozita gjithnjë më të ulta të universiteteve tona në rangimet globale të universiteteve nuk ka se si të jetë ndryshe kur përveç dobësive që trashëgohen nga shkollimi parauniversitar , studentët e rij ballafaqohen edhe një reformë të papërfunduar të arsimit të lartë që ndër vite po bën një hap para, dhe dy hapa pas. Cilësinë dhe kredibilitetin e universiteteve e ka dobësuar objektivisht dhe në mënyrë direkte edhe mungesa e aktivitetit shkencor për shkak të deficitit të mjeteve buxhetore për këtë aktivitet të domosdoshëm universitar.
Sado që gjendja aktuale në arsimin e lartë dhe në atë parauniversitar në njëfarë shkalle mund të arsyetohet me rrethanat objektive që i imponoi periudha e tranzicionit shoqëror, shkaqet kryesore të një gjendjeje të tillë të pavolitshme janë të karakterit subjektiv, respektivisht të atij organizativ dhe politik. Gjegjësisht, politizimi i sistemit arsimor dhe përdorimi i tij për nevojat e politikave ditore është një nga ngarkesat më të dëmshme që e ngulfat krijimin e një sistemi të mirëfilltë arsimor të bazuar mbi cilësi dhe meritokraci.
Kjo dukuri, me keqardhje mund të them se mori një intensitet më shqetësues pas decetralizimit dhe bartjes së kompetencave të arsimit në nivel komunal. Prandaj, nëse nuk merren masat e duhura në këtë nivel ,kam frikë se do të kompromitohet koncepti i decentralizimit si mjet i menduar për të përmbushur nevojat e qytetarit në nivel lokal.
Ndërrimi i shpeshtë i ministrave përgjegjës për sistemin arsimor dhe ofrimi i recetave të gatshme për reforma segmentare që asnjëherë nuk u përfunduan, poashtu janë shkaktarë seriozë të dobësimit të sistemit arsimor.Meqë kjo po përsëritet tanimë disa herë, përskaj një administrate të dobësuar sistematikisht e ul edhe më shumë efiçencën për stabilizimin e sitemit . Ky jostabilitet administrativ është bërë edhe shkaku i humbjes së besimit të opinionit,nxënësve dhe prindërve në qëllimet e politikave të autoriteteve në këtë fushë dhe jo vetëm.
Metodologjia e mësimdhënies dhe të nxënit në sistemin tonë arsimor assesi t’i përshtaten nevojave të kohës. Inercioni nga e kaluara socialiste vazhdon edhe sot. Qëllimi i sistemit arsimor atëherë ishte të krijonte mbështetës të ideologjisë së kohës duke praktikuar metoda që t’i mësojnë gjeneratat e reja se “çfarë duhet të mësojnë” dhe jo “se si duhet të mësojnë”. Metoda moderne e një shoqërie të hapur pretendon metodën që t’i mësojë ata se si duhet të mësojnë duke praktikuar si qëllim zhvillimin e mendimit kritik te rinia jonë në mënyrë që ajo të ketë aftësinë që të vlerësojë vetë fenomenet dhe të gjejë rrugët e së vërtetës.
Jam i vetëdijshëm që ky ndryshim që duhet të ndodhë është thelbi i ngecjes së sistemit tonë arsimor dhe njëkohësisht edhe pjesa më e vështirë për ta realizuar. Mund të them që shumë pak përpjekje janë bërë për të hapëruar në këtë drejtim edhepse ka pasur thirrje dhe shkrime shumë serioze për inkurajimin e reformave në këtë drejtim. Fatkeqësisht këto kritika nuk kanë hasur në vëmendjen e duhur nga ana e strukturave politikbërëse.
Ndryshimet demografike të popullatës kanë krijuar një situatë të re që karakterizohet me shkolla të zbrazura për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve si rezultat i migrimeve dhe modernizimit shoqëror. Kjo ka rrezultuar me hapësira shkollore të bollshme që ka mund të shfrytëzohet për një riaorganizim të procesit mësimor në kuptimin e zgjatjes së qëndrimit të nxënësve në shkollë. Në kushte të ndryshimit të stilit të jetesës, punësimit të prindërve, nxënësve mund tu sigurohet mësim gjithëditor si një mundësi e mirë për ngritje të cilësisë në arsim. Koha e shkurtër e qëndrimit të nxënësit në shkollë e dobëson cilësinë dhe komponentën edukative të tyre në kushte kur ata janë nën shoqërimin dhe ndikimin e mjeteve elektronike jopedagogjike dhe jashtë kujdesit të të rriturve.
Kërkesat e reformave në drejtim të dixhitalizimit të aktivitetit mësimor nxjerrin në pah mangësitë e shumta në cilësinë e infrastukturës e cila vërteton pabarazinë midis rajoneve dhe shpalos pasqyrën e vërtetë të gjendjes në infrastrukturën shkollore.
Fatkeqësisht, mund të konstatohet se “çështjet arsimore” nuk kanë zënë vendin e merituar edhe në programet partiake parazgjedhore. Mirëpo edhe nga ana e popullatës(votuesve) nuk është shfrytëzuar si tregues për ta matur shkallën e realizimit të premtimeve.
Në fazën e parë të jetësimit të Marrëveshtjes së Ohrit duhet pranuar se u bënë avancime në arsimin e lartë që rezultoi me legalizimin e Univeristetit të Tetovës dhe më vonë me themelimin e institucionit të parë shqiptar në Shkup, Universitetit Nënë Tereza si dhe përmirësimi i infrastrukturës arsimore e lënë kohë të gjatë pas dore. Por, duhet pranuar gjithashtu se nuk u bë më shumë për të vënë në rend të ditës dhe në prioritet më të lartë cilësinë e arsimit në të gjitha nivelet. Shqetësim i posaçëm ishte qasja ndaj arsimit të lartë duke u lejuar që ai të shndërrohet në veprimtari komerciale profitabile (universitetet e themeluara nga persona fizikë) që hapën rrugën për rrënimin e kritereve dhe integritetin e arsimit të lartë në përgjithësi.
Më e keqja është se kjo dukuri, ky substandard shqetësues, nuk po shqetëson në nivelin e duhur opinionin. Fatkeqësisht, po aprovohet nga një pjesë e konsiderushme edhe e rinisë sonë por edhe nga segmente me ndikim edhe në partitë politike, rrjedhimisht edhe nga institucionet, sepse një pjesë jo e vogël e strukturës së tyre tanimë kanë diplomat e të gjitha niveleve të studimit, deri në doktoratura, nga këto universitete. Me një fjalë kjo po bëhet morali i shoqërisë, fatkeqësisht, morali i rinisë sonë. Kanti ka thëne se “moral mund të quhet ajo që e duron publiku (populli)”.
Kjo gjendje nuk ka se si të mos na shqetësojë, nuk ka se si të mos pasqyrohet negativisht në rrjedhat tona shoqërore dhe ekonomike, posaçërisht te rinia jonë. Sepse nëse i referohemi një shprehje të Abraham Linkolnit , presidentit më mbresëlënës të SHBA-ve i cili mes tjerash ka thënë :
,, Filozofia e shkollës në një brez do të jetë filozofia e qeverisjes në brezin tjetër”.

In : Aktuale

Loading...
loading...