Arsovski: Zgjedhjet e parakohshme caktohen kur i konvenon qeverisë

Analisti politik Petar Arsovski vlerëson se koha e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare varet gjithmonë nga kalkulimet e qeverisë dhe jo nga opozita apo faktorë të tjerë politikë.
Sipas tij, vetë fakti që kryeministri ka përmendur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme tregon se pushteti ka bërë llogaritë politike dhe konsideron se një skenar i tillë i përshtatet momentit aktual.
“Koha e këtyre zgjedhjeve diktohet gjithmonë nga qeveria. Nëse kryeministri paralajmëroi se mund të ketë zgjedhje, atëherë ai ka vlerësuar se kjo i shkon për shtat”, deklaroi Arsovski.
Ai thekson se zgjedhjet e parakohshme kanë si anë pozitive ashtu edhe negative, por elementi kyç mbetet konteksti politik në të cilin ato organizohen.
Arsovski shton se qytetarët nuk duhet t’i perceptojnë zgjedhjet si një manovër të zakonshme politike, por si një zgjidhje për një situatë konkrete politike ose institucionale.
“Që votuesit të mos i shohin zgjedhjet e parakohshme si lojë politike, duhet të krijohet një situatë që mund të zgjidhet vetëm përmes zgjedhjeve parlamentare”, theksoi ai.
.gif)




























