Artan Dika:Nga BDI-ja e pranojnë se të vetmin rrezik për humbjen e pushtetit e kanë tek Besa

Interviste ekskluzive me Artan Dika për Revisten Select.

Select: Si e shihni situatën momentale politike në Maqedoni?

Artan Dika> Është situatë e turbullt, me shumë rreziqe dhe të panjohura. Ikja e rinisë është një nga problemet kryesore në vend. Me këtë ne po humbim fuqinë numerike. Problem tjetër është mungesa e kapacitetin intelektual për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat tona. Ne jo vetëm që nuk kemi kuadro të mjaftueshme, por një pjesë e madhe e tyre janë kuadro fiktive, me libreza partiake, pa përgatitjen e nevojshme në profesionin që pretendojnë se kanë. Problemi i tretë është mospasja e vizionit për të ardhmen. Më shumë se postet në pushtet, ne kemi nevojë për zgjidhje të problemeve reale. Të marrim një shembull banal. Ne sollëm aeroplanë me votues nga Amerika për të fituar komunën e Kërçovës, por kjo nuk është diçka që do të mund të përsëritet përjetësisht çdo katër vjet, ndërkohë që nuk jemi në gjendje të hapim 3-4 fabrika në Kërçovë apo Strugë që do të mbante popullin në vendin e vet. Nëse flasim për aspektin politik të çështjes, shqiptarët kanë dështuar të zgjedhjen e përfaqësuesve të denjë që do duhej t’i mbronin të drejtat e tyre. Me keqardhje e them se në këto 15 vitet e fundit shqiptarët nuk kanë vepruar si popull, sepse populli ka interesa të përbashkëta (punësimi, përfaqësimi, identiteti, etj.) por si tërësi individësh me interesa personale të ndryshme. Jemi popull i kapur. Në Kosovën e viteve 90, Serbia nuk gjente 15 persona për t’i bërë ministra e për të formuar qeveri kuislinge, sepse dilte i gjithë fisi dhe i leçiste. Atherë shqiptarët vepronin si popull, kërkonin të drejta kolektive dhe me këtë realizoheshin edhe të drejtat individuale. Sot tek ne njereëzit janë të kapur për interesa të ngushta personale (për një punësim apo për një ngritje në detyrë), duke e kanë ulur shumë “pazarin” për të drejtat e përbashkëta.

Select: Sa do të jetë e dobishme qeverisja e Zaevit për qytetarët e Maqedonisë e në veçanti për shqiptarët?

Artan Dika> Mbetet të shihet. Të them të drejtën nuk jam shumë optimist. Nuk i besoj as premtimeve të Zaevit dhe as kapacitetit të partive shqiptare në qeveri. Kam dyshime se Zaevi mund të ketë marrëveshje të fshehtë me Gruevskin, që ky i fundit t’ja lëshojë pushtetin, ndërsa Zaevi të mos ja prek privilegjet atij dhe klanit të tij të ngushtë. Lufta kundër korrpusionit mund të kthehet kështu vetëm në një mashtrim duke u marrë me “peshq më të vegjël”, duke i ndjekur ata gjyqeve me vite, sa për të mashtruar opinionin. Kjo mbetet të shihet. BDI-ja prej kohësh e ka defaktorizuar veten lidhur me vendimmarjet në pushtet dhe në të ardhmen pritet të bëjë po të njejtën gjë që ka bërë në të kaluarën. Ajo tashmë e ka dëshmuar se është një grupacion që e trajton pushtetin si përfitim që duhet ndarë mes njerëzve brenda grupit. Në këtë kuptim Zaevi do ta ketë lehtë me këtë parti. Megjithatë Zaevit do t’i duhet të bëjë disa lëshime ndaj shqiptarëve, besoj pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, në mënyrë që të ruajë votat e tyre, që u tregua me shumë rëndësi në zgjedhje. Këtu në rradhë të parë e kam fjalën për mbylljen e rastit të Sopotit dhe Monstrës (për të cilën vet Zaevi ka thënë se në përgjimet e bëra zyrtarët e VMRO-së e pranojnë se të burgosurit janë dënuar pa prova), si edhe për disa lëshime lidhur me përdorimin e gjuhës, e cila sërish nuk do të ketë përdorim të plotë. Gjëra të tilla nuk do ta ndryshojnë gjendjen e shqiptarëve, por do ta rrisin simpatinë e Zaevit në sytë e tyre. Këto lëshime BDI-ja do nxitojë t’i paraqes si arritje të saj. LR PDSH-ja me 2-3 deputetë nuk është në situatë të lakmuar për të bërë shumë presion në qeveri. Me kalimin e kohës LSDM-ja mund t’i kthejë nga vetja, 2-3 deputetë nga rradhët e koalicionit të VMRO-së, në rradhë të parë nga deputetët e pakicave dhe me këtë të jetë e qetë për të ardhmen. Me 30.000 votat e saj, LR PDSH-së do t’i duhet të luftojë për mbijetesë në skenën politike.

Select: Si i komentoni sondazhet e IRI-t ku Besa barazohet me BDI-në?

Artan Dika> Rezultatet e sondazheve janë orientuese. Ato që vendosin janë rezultatet e zgjedhjeve. IRI është organizatë serioze, megjithëse edhe rezultatet e saj, si edhe ato të sonadazheve tjera, kanë gjithmonë një margjinë gabimi. Nuk ka dyshim se BDI-ja është në rënie drastike. Më shumë se rezultati i fundit i sondazhit të IRI-t, trendin e vazhdueshëm në rënie të BDI-së e dëshmon vijimësia e rënies së saj në rezultatet e mëparshme, e vërtetuar edhe me rezultatin e zgjedhjeve. Nga ana tjetër është e qartë se Lëvizja Besa ka shënuar rritje. Në biseda private vet zyrtarët e BDI-së e pranojnë se të vetmin rrezik për humbjen e pushtetit e shohin tek Levizja Besa. Fatkeqësisht në vend se partitë opozitare të bashkohen në zgjedhjet e fundit, ato (Lëvizjes Besa dhe LR PDSH) zhvilluan një luftë të ashpër se kush do ta marrë primatin e opozitës. Kështu u humb një shans për të mposhtur BDI-në. LR PDSH-ja bëri gabim strategjik kur e mbështeti kryetarin e shkarkuar të RDK-së, i cili nuk e lejonte koalicionimin e partive me lëvizjen Besa dhe kështu u pamundësua bashkimi i opozitës. Rezultati i zgjedhjeve e favorizoi Lëvizjen Besa. Në këtë situatë epërsie të dukshme, nuk është në dobi të Besës të vazhdojë të merret me sulmet e LR PDSH-së, ndërkohë që nga ana tjetër përplaset me BDI-në për primatin e përfaqësimit të shqiptarëve. Nga ana tjetër BDI-ja po e instrumentalizon LR PDSH-në, për ta sulmuar Lëvizjen Besa.StrugaLajm

Select: A i mungon skenës politike Rufi Osmani në këtë momente mjaft me rëndësi për shqiptarët?

Artan Dika> Dalja në skenën politike e Rufi Osmanit dhe më pas edhe e RDK-së ndodhi në një moment shumë më të vështirë politik. Ishte koha e përballjes si të vetëm me dy parti vegla të pushtetit, BDI dhe PDSH. Sot kur skenës politike i janë shtuar edhe parti tjera politike, si Besa dhe LR PDSH, dhe PDSH është drejt shpërbërjes përfundimtare dhe kur zhgënjimi i popullit është shtuar edhe më shumë, çdo gjë është më e lehtë. Z. Osmani, si njeri i ndershëm, i guximshëm, i ditur dhe vizionar, ishte një shembull i mirë se si duhet të jetë një përfaqësues i popullit. Një gjë mund të them se nëse Rufi Osmani do të kishte qenë ai që do të negocionte përbërjen e qeverive dhe programet e tyre në të kaluarën, në vend të Ali Ahmetit, këto gjëra nuk do të kalonin aq lehtë dhe për shqiptarët situata do të ishin shumë më ndryshe, shumë më e mirë. Fatkeqësisht pjesëmarrja e Ahmetit në qeveri ka patur vetëm një synim: marrjen e një pjese të përfitimeve nga pushteti për vete dhe klanin e tij, asgjë tjetër. Së fundmi, para zgjedhjeve të përgjithshme, Rufi Osmani ishte idhtar dhe shtytës i arritjes së koalicionimit trepalësh RDK-LR PDSH-Besa, si i vetmi kombinim që do ta mundte BDI-në në zgjedhje, por pastaj, për arsye që nuk janë të qarta, u tërhoq. Koha tregoi se u humb rasti që të mposhtej një parti e korruptuar dhe e dëmshme për shqiptarët si BDI.

Select: Cilat gabime të BDI-së ndikuan që populli kësaj rradhe e dënoi BDI-në?

Artan Dika> Ka një lodhje masive të njerëzve me BDI-në. Jo vetëm gabimet, por edhe aferat korruptive dhe dështimet e kësaj partie janë të panumërta. Premtimet e tyre janë bërë telenovela të papërfunduara më të gjata se serialet turke e spanjolle. Nuk ka asnjë dyshim më se BDI është vetëm një grupacion i realizimit të interesave personale të pjestarëve të grupit, duke e parë pushtetin si plaçkë dhe duke i shkëmbyer interesat e shqiptarëve me përfitime personale. Kjo bëri që një pjesë e elektoratit shqiptarë t’i kthejë sytë nga partitë e reja opozitare, në rradhë të parë Besa por edhe LR PDSH. Mendoj se moment i ri në zgjedhjet e fundit ka qenë elementi Zaev. Ai u dëshmua si politikan i zoti duke ndërmarrë veprime që e nxorrën partinë e tij nga qorrsokaku i defaktorizimit politik në rikthimin në pushtet. Ai diti të luajë me emocionet e shqiptarëve, duke publikuar një pjesë të bombave që preknin ata dhe duke futur në listat e deputetëve kandidatë shqiptarë në pozicione fituese. Një pjesë e elektoratit shqiptar, tashmë të lodhur nga një dekadë poshtërimi i shqiptarëve nga qeverisja VMRO-BDI dhe me dëshirën kryesore të rrëzimit të klikës së Gruevskit, e panë Zaevin si të vetmen shpresë për t’ja arritur këtij qëllimi dhe e votuan atë në vend të BDI-së, pa kërkuar më gjatë garanci për të drejtat e shqiptarëve.StrugaLajm

Select> Në Kosovë do mbahen zgjedhjet. Kush është favoriti juaj? Kush mendoni se do fitojë?

Artan Dika> Do të doja të fitonte Lëvizja Vetvendosje, ose të paktën shpresoj për një rezultat sa më të mirë të saj dhe besoj në këtë, por megjithatë mendoj se koalicioni i parë do të jetë koalicioni PDK-AAK-Nisma, që për mua është koalicion i njerëzve të korruptuar dhe në jo pak raste edhe të lidhur me krimin e organizuar. Koalicioni i LDK-së besoj se do të ketë rënie, në rradhë të parë si pasojë e veprimeve negative të kryetarit të saj në vitet e fundit. Mendoj se populli i Kosovës ende nuk e ka arritur atë pjekuri sa të vërë interesin e përgjithshëm mbi atë personal e grupor. Njerëzit janë të kapur për interesa të vogla personale dhe nuk e shohin të ardhmen si vizion i përbashkët i një populli por si dëshirë për plotësimin e interesave personale.

Select>Cili është mendimi juaj për Albin Kurtin?

Artan Dika> Albin Kurti është shpresa e vetme për një Kosovë më të mirë. Alternativat tjera janë dëshmuar tashmë hapur si grupacione të njerëzve të korruptuar dhe të përfshirë në krim të organizuar. Albini është shembull i një intelektuali të ri shumë të përgatitur, të guximshëm dhe të pastër. Sado që nuk pajtohem me disa pikëpamje majtiste dhe veprime të dhunshme të partisë së tij, sërish nuk ka diskutim se Lëvizja “Vetvendosje”, rreth të cilës është mbledhur një rini e guximshme intelektuale, është jo vetëm zgjidhja më e mirë por zgjidhja e vetme për ta përmirësuar gjendjen në Kosovë, megjithëse një gjë e tillë mund të përballet me shumë vështirësi në një shoqëri thellësisht të korruptuar, të varfër dhe në një pjesë të madhe me mentalitet fisnor.

Select> Kush është më atdhetar dhe patriot sipas jush, Edi Rama apo Lulzim Basha?

Artan Dika> Do preferoja një person të tretë, as të parin e as të dytin. Megjithatë nëse duhet zgjedhur patjetër mes këtyre të dyve, do zgjidhja Ramën. Është e dukshme se rilindja e premtuar e Edi Ramës ka dështuar gjerësisht dhe zgjedhja në krye të vendit të simbolit të korrupsionit, Metës, është një mesazh shumë i keq, por e kaluar e Bashës, qëndrimet e tij, mbajtja përreth vetes e klanit të vjetër të partisë përgjegjës për degradimin e vendit dhe futja në koalicion e elementeve shovinist të dëshmuar të minoritetit grek janë për tu shqetësuar. Le të themi se në këto zgjedhje do preferoja Ben Blushin.

Select> Pse nuk jeni aktiv në politikë?

Artan Dika> Sot angazhimi nëpër parti bëhet për dy arsye kryesore. Shumica absolute e njerëzve ua mësyjnë partive politike për të përfituar personalisht dhe kjo është për të ardhur keq. Vetëm një pakicë e vogël e ndërmarrin këtë hap me idealizëm, si sakrificë për ta ndryshuar gjendjen e mjeruar. Unë politikën e kam ndjekur që si fëmijë 10-12 vjeçar, sepse kjo imponohej nga rrethanat e kohës; me politikë jam marrë pesë vitet e fundit, por politikan nuk kam qenë ndonjëherë. Patjetër se do vazhdoj ta ndjek politikën e edhe të merrem me të, por angazhimi im nëpër parti politike ka përfunduar. Të qenit aktiv në politikë kërkon kohë, punë dhe energji. Kam gjithnjë e më shumë punë në klinikën ku punoj dhe një perspektivë shumë të mirë profesionale, prandaj edhe mundësinë për aktivitete shtesë e kam të kufizur. Siç besoj edhe për shumë të tjerë në RDK, ai ka qenë një angazhim nisur nga një detyrim intelektual dhe patriotik për të ofruar një alternativë më të mirë dhe si një detyrim moral për të mbështetur themeleuesin e RDK-së për sakrificën e bërë nga ai për shqiptarët në vitin 1997. Angazhimi partiak tashmë është një mision i kryer. Ai fillon dhe mbaron me RDK-në.

In : Aktuale

Loading...
loading...