Artan Dika reagon pas videos në Qafë Thanë ku policët plaçkisin shtetasit e Shqipërisë

E keqja e kësaj që po ndodh është se këto nuk duken raste të izoluara, por dukuri të rregullta e të organizuara për të cilat shefat lart nuk ka se si të mos kenë dijeni por qëllimisht e lejojnë duke mbyllur sytë

Nga Dr. Artan DIKA

E dija se herët a vonë këto gjëra do dilnin në publik. Kam dashur të shkruaj edhe më herët. Videoja e postuar më posht nga Gazeta “KOHA” është vetëm një episod. Kjo është plaçkitje nga policia kufitare e Qafë Thanës. Por informacionet tregojnë jo për një rast të izoluar por për një dukuri masive edhe në pikat tjera kufitare. Vet di raste të plaçkitjes së shtetasve shqiptarë nga policia kufitare në vendkalimin kufitar në Bllacë dhe në Aeroportin e Shkupit.

StrugaLajm

Të plaçkiturit janë gjithmonë shtetas të Shqipërisë. Plaçkitësit janë policë të Maqedonisë së Veriut në pikat kufitare, maqedonë dhe shqiptarë. Duket se policët kanë dorë të lirë. Eprorët e policëve nuk mund të mos kenë dijeni për ngjarjet por duket se qëllimisht mbyllin një sy. Këto gjëra po ndodhin prej të paktën një viti. Plaçkitja përmes kërkimit të parave nga policët bëhet hapur dhe pa shumë shqetësim.
Vëllai udhëton shpesh me autobus nga Prishtina në Shkup. Ai tregon se sa herë që në autobus ka shtetas të Shqipërisë, policët kufitar të Maqedonisë nuk i lejojnë të kalojnë pa u dhënë “një kafe” (fillimisht kërkonin 10 euro, pastaj shuma u rrit në 20 euro). Kur dikush shpreh pakënaqësinë, i nxirren lloj lloj preteksesh gjoja se nuk i ka dokumentet në rregull edhe pse atyre nuk ju mungon gjë. Dokumentet kompletohen pasi të paguhet “kafja”.
Në 14 qershor, bashkë me dy shokë fluturuam nga Shkupi për në Budapest. Ishte mesditë. Personin që e kishim në mes me shokun tjetër e luta nëse mund t’i ndërronim vendet në aeroplan. Pranoi pa problem. Ishte nga Shqipëria. Në bisedë e sipër u ankua për plaçkitjet që policët kufitarë të Maqedonisë ju bëjnë shtetasve të Shqipërisë. Ky i shkreti ishte plaçkitur dy herë. Ngaqë ishte nga veriu kishte ardhur në Shkup përmes Kosovës. Në Bllacë polici i kishte kërkuar “një kafe” (20 euro) që ta lejojë të kalojë. Plaçkitja e dytë i kishte ndodhur në Aeroportin e Shkupit. Aty polici e kishte tërhequr mënjanë dhe i kishte kërkuar “një kafe që ta ketë rrugën e mbarë”. Polici i kishte folur mirë shqip dhe sipas të gjitha gjasave duhet të ketë qenë shqiptar. Për fat të keq shtetasi i Shqipërisë tani nuk kishte patur më monedha 20 euro dhe ishte detyruar të nxjerë një 50 euro. Polici ja kishte marrë dhe për “kafen” nuk kishte kthyer kusur. I revoltuar se nuk ishte hera e parë që po e dëgjoja këtë storje e kritikova bashkëbiseduesin që nuk ankohen askund. I thashë “duhet të takohesh me gazetarë, ta bësh publike plaçkitjen që plaçkitësit me uniformë të dënohem e mos përsëritet më… duhet të ankohesh në Ambasadë … duhet të bëni diçka, duhet të bëhet e madhe, kjo nuk është në rregull”.
Si çdo hallexhi tjetër halli i tij kryesor ishte të mbërrijë në destinacionin e tij.
E keqja e kësaj që po ndodh është se këto nuk duken raste të izoluara, por dukuri të rregullta e të organizuara për të cilat shefat lart nuk ka se si të mos kenë dijeni por qëllimisht e lejojnë duke mbyllur sytë.

In : Aktuale

Loading...
loading...