As për 100 mijë euro të rinjtë nuk kthehen për të jetuar në fshat
Të rinjtë që tashmë janë larguar nga fshatrat nuk do të kthehen sërish as për 100 mijë euro.
Sipas bujqve, kjo masë e propozuar nga Qeveria, që ofron 100.000 euro për të jetuar në fshat, është ide e mirë, por jo e mjaftueshme. Ata theksojnë se fshatrat janë të braktisura dhe mungon infrastruktura. Në fshatrat e Maqedonisë mungojnë kushtet bazë për jetesë urbane: nuk ka spitale, çerdhe, banka, poste… Prandaj, të rinjtë që do të vendoseshin në fshat dhe do të merren me bujqësi, do të duhet të heqin dorë nga shumë përparësi të civilizimit modern.
– Të rinjtë u larguan nga fshatrat në qytete, dhe tani edhe po t’u japin një milion euro, nuk do të kthehen më. Ku të kthehen kur nuk ka rrugë, spitale, çerdhe, banka, poste… Te arat shkojmë në këmbë nga 2 kilometra, sepse nuk ka rrugë të qasshme. Fshatrat kanë vdekur prej kohësh, shteti nuk investon për t’i ringjallur ato. Së pari duhet të ndërtohet infrastruktura dhe të zgjidhen problemet pronësore, sepse një arë ka disa pronarë, e shtëpitë nuk kanë një pronar të vetëm – tha për “Lokално” Mitat Ismaili, bujk nga rajoni i Pelagonisë.
Ai shtoi se nëse zgjidhen këto çështje dhe nëse të rinjve u jepen shtëpi në fshat për një çmim simbolik, atëherë mund të ndodhë që vetëm 1 deri në 2 për qind prej tyre të kthehen.
– Më parë fshatrat tona ishin ndër më të zhvilluarit në Ballkan. Tani, edhe në Serbi, Bullgari, Greqi, madje edhe në Shqipëri, fshatrat janë shumë më të zhvilluara se tonat. Kur ka ardhur puna të importojmë produkte bujqësore, fara dhe fidanë nga Shqipëria, çfarë të presim tjetër? Në Shqipëri bujqësia është zhvilluar shumë në vitet e fundit, dhe fshatrat kanë rifilluar të jetojnë – përfundon Ismaili.