– Ministria e Arsimit dhe Shkencës është kundër mësimit onlajn, por vendimi është marrë në bazë të rekomandimeve për siguri. Kështu tha ministri Jeton Shaqiri, ndërsa u shpreh se pret që sa më shpejt Qeveria t’i diskutojë për të gjitha problemet që janë shfaqur – në mësimin tërëditor, problemet që kanë prindërit të cilët janë të punësuar që të mundet, siç tha, të gjendet një propozim i ri për zgjidhje pas rekomandimit të institucioneve kompetente, duke e pasur parasysh këtë që po rritet numri i shkollave që marrin alarm për bombë, ndërsa objektiv tashmë janë edhe nxënësit e shkollave fillore krahas nxënësve shkollave të mesme.
“Do të analizohet situata, do të merren përvojat nga vendet e tjera dhe do të shqyrtohet komunikimi elektronik. Dje ka qenë numri më i madh i shkollave që kanë marrë mesazhe kërcënuese për bomba të vendosura, disa prej tyre për herë të parë kanë marrë alarm dhe nuk kanë qenë të gatshëm ta zbatojnë rekomandimin e MASH-it për mësim onlajn”, tha ministri Shaqiri.
A mendohet që të gjitha shkollat e mesme të kalojnë në mësimin onlajn, ministri Shaqiri u përgjigj se “nuk është vendim i lehtë” nëse do të jetë për shkollat e mesme në Shkup apo në të gjithë shtetin. “Nuk shpejtojmë të marrim një vendim të tillë, sepse një vendim i tillë duhet të merret edhe për shkollat fillore. Sepse dje dhe sot ka më shumë alarme për shkollat fillore sesa për shkollat e mesme. Në fillim, nuk ishin në shënjestër nxënësit e shkollave fillore, vetëm nxënësit e shkollave të mesme, tani alarme ka edhe në shkollat fillore, që hap një problem të ri”, tha Shaqiri, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas takimit të Komitetit Drejtues të Institutit Ndërkombëtar për Teknologji të Qëndrueshme të Evropës Juglindore (SEEIIST).