Asociacioni i Arkitektëve kritikon ashpër Ligjin e ri për planifikim urban

Asociacioni i Arkitektëve të Maqedonisë e vlerëson si cenim të rendit urbanistik, Ligjin e ri për planifikim urban të cilin fundjavën e kaluar nuk e dekretoi Presidenti Stevo Pendarovski. Sipas tyre, kjo zgjidhje ligjore krijon përshtypjen se ndërtimet pa leje nuk dënohen dhe se mund të vazhdohet me kaosin urbanistik. AAM kërkon që në rast të miratimit të ligjit në lexim të tretë i njëjti të plotësohet me një dispozitë e cila obligon institucionet t’i procedojnë të gjitha procedurat për legalizim të mbetura pezull dhe të jepen lejet për ndërtim.

Ajo zgjidhje ligjore i pezullon të gjitha aktet në fuqi për planifikim urbanistik të cilat kujdesen për cilësinë e ndërtimeve, si dhe jep sinjal të keq se ndërtimet pa leje nuk dënohen. Me zgjidhje të tilla ligjore nënvlerësohen të gjitha procedurat profesionale nga plani deri në ndërtim, diçka që duhet t’i garantojë statusi juridik dhe statusi i sigurisë së çdo ndërtimi. Gjatë ndërtimit nuk guxon të cenohet interesi privat dhe publik”, thonë nga Asociacioni i Arkitektëve të Maqedonisë.

Presidenti Stevo Pendarovski përgjegjësinë ia kaloi Kuvendit dhe partive politike. Sipas tij, nëse ligji miratohet ai do ta dekreton pasi kështu përcakton Kushtetuta, por nuk do të jetë i kënaqur nëse vërejtjet e tij nuk merren në konsideratë.

Kam një sërë vërejtjesh dhe atë që e tha Kryeministri të njëjtat do të pranohen, por kompetencat e mia këtu përfundojnë. Nëse ligji miratohet përsëri me shumicën e nevojshme, nuk kam zgjidhje tjetër. Por edhe nëse miratohet nuk do të jem i kënaqur”, tha Stevo Pendarovski, president.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski deklaroi se pasi ligji nuk u dekretua, është krijuar hapësira që të pranohen propozime të reja nga ekspertët dhe të përfshihen në ligj edhe pse pranon se ligji ka qenë në fazën e shqyrtimit që nga viti 2019.

Ky ligj është dorëzuar në Kuvend që në vitin 2019. Një kohë të gjatë është i hapur për opinionin dhe në diskutimet me grupet parlamentare është miratuar ky ligj. Por mundësia Kushtetuese që shfrytëzoi Presidenti është edhe një mundësi që bashkërisht ta diskutojmë me deputetët dhe ekspertët që të gjejmë zgjidhje për problemet e qytetarët”, theksoi Blagoj Boçvarski, ministri i Transportit dhe Lidhjeve.

Organizata joqeveritare “Eco Guerila” kanë nisur procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit pranë Gjykatës Kushtetuese. Javën e kaluar Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për planifikim urban me konsensus mes pushtetit dhe opozitës. Një ndër dispozitat ishte edhe ndërprerja e procedurave penale kundër personave fizik dhe juridik për ndërtime pa leje. Mbi këtë bazë, presidenti Pendarovski nuk e dekretoi ligjin duke pretenduar se dispozita në fjalë përfshinë amnisti e cila mund të sjell pasoja juridike në të ardhmen. Ligji është kthyer në lexim të tretë.

Adrian Kerimi

Loading...
loading...











Loading…


loading…