Përfaqësuesja e femrave të Maqedonisë deri në moshën 19-vjeçare ka fituar vendin e parë në turneun zhvillues të UEFA-s, që u mbajt në Talin të Estonisë.
Përfaqësuesja e re e drejtuar nga Astrit Merko shënoi dy fitore në kuadër të këtij turneu.
Në ndeshjen e parë vashat “verdhe kuq” mundën nikoqiret e Estonisë me rezultatin 3:1, ndërkohë në ndeshjen e dytë ata mundën Letoninë, mirëpo vetëm pas ekzekutimit të penaltive.
Jana Çubrinovska, Yllza Maksuti dhe Rabia Dervishi ishin autore të golave për Maqedoninë në triumfin kundër Estonisë, ndërkohë falë golit të Jana Çubrinovska në pjesën e dytë, Maqedonia barazoi shifrat ndaj Letonisë, ndaj së cilës përfaqësuese më pas arriti që të triumfojë përmes ruletit të penaltive, edhe atë me rezultatin 3:1.
Fjalën kryesore tek penaltitë e pati portierja shqiptare, Roçi, e cila ndali tre penalti, ndërsa në anën tjetër ekzekutuese të sakta u treguan Shemsoviq, Maksuti dhe Belistojanovska.
Është ky një sukses i rradhës për vashat e trajnerit Astrit Merko, pasi ata vitin e kaluar në turneun zhvillues që u mbajt në Bosnje e Hercegovinë u renditën në vendin e dytë, në garë edhe me përfaqësueset e Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë.