Aty ku një maqedon është i barabartë me dy jetë shqiptare!

Betim IBRAIMI/Strugalajm/com

In a Nutshell!StrugaLajm

Për shumë pakica etnike, Maqedonia u divorcua nga tirani mizor që i kishte robëruar po këto etnitete për plotë katër dekada me radhë. Nga ana tjetër, pothuajse të gjithë maqedonasit, e morën me zemërthyerje ndarjen nga kjo nënë “e çmuar”, që kishte shndërruar tragjedinë fatale të të tjerëve, në parajsën e tyre në tokë. Kanë kaluar 26 vite që nga pavarësia dhe themelimi i shtetit të sotëm të Maqedonisë— plagët e thella të tranzicionit kanë lënë gjurmë formidable e kolosale në post-tranzicionin mendor të njerëzve. Përderisa Jugosllavia shushunjë vazhdoi të mbijetojë mbi kurriz të të tjerëve edhe 15 vite në vazhdim pas shkatërrimit të bllokut komunist në gjithë Europën Juglindore—duke shkatërruar dhe likuiduar shumë ëndrra të popujve që e donin lirinë dhe donin të jetonin, Maqedonia nga njëra anë kishte tendenca për bashkangjitje në familjen Euro-Atlantike, por nga ana tjetër ndoqi rrugën e saj kokëforte pro-Ruse, anti-përparimtare dhe vetë-destruktive, pa e konsideruar aspak një U-kthesë për aspiratat e saja. Ashtu si Petra Bock edhe Edgar Wolfrum e përshkruan Maqedoninë e viteve 90-ta, parafrazoj: “duke u treguar qytetarëve një pamje njëngjyrëshe ku pas presionit për një sistem pluralist filloi shfaqjen e gjërave në ekran shumëngjyrësh, por sërish të kontrolluara nga shteti si shkolla, kisha, mediat—të tilla ende komuniste, që sajonin plane vetëm me një rezultat dhe me një qëllim të caktuar”. Profesori Stefan Troebst, nga Universiteti i Leibzigut duke shpjeguar rrjedhshmërinë e “Institutit të Historisë Kombëtare të Maqedonisë” thotë se ato nuk kanë ndryshuar retorikën sa i përket qëndrimit mbi shtetin etno-nacionalist, parafrazoj: “Një shtet i vetë-proklamuar gjithmonë si “Shtet i maqedonasve” dhe asnjëherë si “Shtet i Maqedonisë”; “Historia e popullit maqedonas” dhe asnjëherë si “Historia e Maqedonisë”, duke përjashtuar në sensin legal nga kushtetuta të gjithë jo-maqedonasit”. Kohëra të errëta Po çfarë përfituam ne, vallë?! Kush është “ne” këtu? A është “Ne” vetëm qytetarët që vazhduan të jetojnë brenda kufijve, apo janë edhe ato që morën rrugën e mërgimit—duke e pasur parasysh prapavijën e emigrimit të shumë njerëzve përgjatë gjithë kohës së komunizmit, por edhe pas tij! Padyshim se ato që qëndruan u përballen me realitetin e egër politik, ekonomik dhe social në mënyrë të drejtpërdrejtë, e ato që u larguan nuk u mbeti gjë tjetër përveç se të shpresojnë për ditë më të mira. Politika e ashpër nacionaliste dhe egocentriste vazhdoi në binarët e lashtë, sikur të ishte ende në kohën komuniste, deri në konfliktin e vitit 2001. Por çfarë ndodhi pasi përfundoi shuplaka e Faktorit Ndërkombëtar për Maqedoninë? A u zgjua nga gjumi?! E kush mund ta zgjojë nga gjumi dikë që ka ‘vdekur’ shpirtërisht, siç kishte ndodhur apriori me inteligjencën flegmatike maqedonase ndaj komunitetit shqiptar! Jo, as grushti nuk bën fajde! Duhej të kalonin edhe 16 vite të tjera për t’i thënë “Jo më!” shkeljes së të drejtave themelore të njeriut; ofendimeve demonstrative të paramenduara të njëpasnjëshme që kanë cënuar bashkëjetesën ndëretnike; mospërfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucione publike dhe shtetërore; barbarizmave të lëshuara nga gojërat e gjoja intelektualëve të shquar—siç kanë qenë publikimet e Ivan Katarxhiev (1998) dhe pastaj kulminacioni me propagandën e “Encyclopaedia Macedonica” (2009); shkeljen kushtetuese de facto të legjitimitetit të politikanëve si udhëheqës nëpër poste shtetërore; manipulimi dhe përgënjeshtrimi i premtimeve parazgjedhore që ngjasojnë me një sharlatan të kohërave të hershme. Vlen të theksohet se ky lloj fenomeni është tejet i rëndomtë tek politikanët e Evropës Juglindore në gjerësi dhe në Ballkan në veçanti—gjë që nuk e ndihmon rajonin, por bën që të zhytet sa më shumë në frymë autoritare; moszbatimi i plotë i gjuhës shqipe në administratën shtetërore dhe publike; mosintegrimi i bashkësive të vogla etnike nëpër institucione; retorikë hiper-nacionaliste agresive; mbjellja e urrejtjes që ipso facto është një krim ndaj gjeneratave që pasojnë duke ju lënë frutin e përçarjes. Pas stuhisë lind Dielli Rinia është më e gjallë se kurrë! Ndihet aroma e trëndafilit që ka çelur. Gati gjithmonë ka qenë rinia ajo që i vë gjërat në lëvizje, si në politikë, ashtu edhe në fushat e tjera të jetës. Tani e kuptova! Ishim ne që deri tani bëmë shumë pak me forcën tonë të pamohueshme. Ishim ne që lejuam të shtypemi nën kthetrat e tyre. Një popull që lejon të shtypet, ndoshta atë fat meriton. A u zgjuam edhe ne nga gjumi?! Kur nuk kthjellohet ai që e drejton popullin, atëherë është imperative që ky popull të vitalizohet. Ja ku jemi! Duam apo s’duam viti 2017 po nis me një stuhi ‘alternativ-djathtiste’. Çfarë ironie! Përveç emrit që ndryshon, ideologjia e shtetit tonë ka ndjekur pak a shumë pikërisht këtë drejtim kundrejt faktorit shqiptar dhe minoriteteve tjera etnike. Ndaj persekutimit të qytetarëve shqiptar nuk është lëshuar asnjë fjalë nga goja e palës maqedonase për ta dënuar këtë akt të shëmtuar të historisë së ditëve të zeza të tyre. Ndryshe ma kujtoni nëse keni marrë një apologji të tillë! Akte të tilla të ngjajshme që kanë të bëjnë me diskriminimin e një minoriteti apo grupi të margjinalizuar duhet të dënohen pa marrë parasysh interesat personale, përkatësisë etnike apo tabuve të rrënjosura në mendjen e të parëve tanë. Edhe Amerika e viteve 60-të nuk ishte e gatshme ta pranojë racizmin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj komunitetit afrikano-amerikan, të mbrojtura me konventa ndërkombëtare. Sot, pas gjysëm shekulli është krijuar një sensibilitet shoqëror ku haptazi pranohet dhe dënohet akti barbar nga njeriu i bardhë. Le të shpresojmë se skena politike maqedonase një ditë do të pajtohet me faktin se agresori për konfliktet ka pasur burimin tek urrejtja, diskriminimi dhe nacionalizmi i stërtepruar. Ndoshta as Milenialsi s’do t’i thirrë kurrë mendjes për të dalë i pastër me vetveten. Davidi dhe Goliati Suksesi i një projekti varet nga ushtarët që i qëndrojnë besnik avancimit të të njëjtit drejt synimit për përsosshmëri sa më efikase. Idealja bëhet qëllimi, edhe pse është e pamundur të arrihet, të paktën përpjekja duhet të jetë eminente! Nga Programi 1.0, kalohet në 1.1, dhe pastaj vazhdohet në 1.2, për të mos u ndalur kurrë së menduari për hapin e ardhshëm. Këtë do ta bënte të paktën një kompani e suksesshme dhe një person i arsyeshëm me ndërgjegjje të plotë. Jeta është proces, ajo ec me kohën. Por jo kështu me këtë tonën! Në sirtaret e pluhurosura qëndron diku ‘Marrëveshja e Ohrit’ e vitit 2001! E harruar dhe e ‘syrgjynosur’! Thonin se ajo ishte duke u implementuar në mënyrë të suksesshme si platformë bazë për ecjen e shtetit drejt qëllimeve për barazi të plotë të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim kombi, feje apo gjinie. Pas shumë vitesh thanë se partneri i tyre është pengesë për implementimin e saj, duke harruar se ishin ato ‘Davidi’, dhe pala tjetër ishte ‘Goliati’. Dhe në fund thonë se është arritur 100% zbatimi i kësaj ujdie dhe s’ka nevojë për marrëveshje të re. E çfarë kontinuiteti drejt progresit të këtij lloji kemi parë?! Përveçse një Status quo, asgjë më shumë. Po të doni kaloni në ekstrem duke thënë se është punuar për një abrogim të marrëveshjes aktuale ku përveç regresit nuk shohim rezultate të dobishme. Në vesh të shurdhët shkon britma jonë kur ankohemi se gjuhën tonë nuk e gjejmë të barabartë me kushtetutë, ku sipas Marrëveshjes së Ohrit gjuhën shqipe do ta kishim të barabartë me atë maqedonase, gjegjësishtë zyrtare; gjuhë si lëndë obligative nëpër shkolla; dhe hapi më i rëndësishëm ndoshta që i mungon sistemit shtetëror—një Ministri e Komuniteteve ku do të sigurohej impenjimi drejt implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. E kush mund të mbajë faj më të madh se sa ai që nuk diti të shfrytëzojë mbështetjen e fuqishme nga komuniteti ndërkombëtar për avancimin e pozitës politike dhe fuqizimin substancial të faktorit shqiptar. ‘Nga më fryn era, e kthej gunën’ Më keq se kaq nuk ka se ku shkon. Në një kohë kur mazhoranca politike maqedonase përdor fashizëm ndaj qytetarëve shqiptar, pala politike shqiptare nuk është e zonja t’i kundërvihet dhe të mbrojë të paktën votuesit e saj. Në të gjitha nivelet e qeverisjes shtetërore mund të hasen raste ku pala politike shqiptare ka treguar një inferioritet servilist dhe kusari për pushtet pa i konsumuar paraprakisht opsionet e veta për t’u qëndruar besnik vlerave të tyre themelore etike, duke i shkelur ato si me qenë jetimë e të parëndësishëm. Mos vallë ky tandem është përbetuar në thënien e famshme të Jul Çezarit “përça e sundo”?! Meqë deri tani kemi qenë dëshmitarë të luftërave të tyre fiktive-joekzistente duke qëndruar të sunduar me vite të tëra nga një dyshe e pandarë, a duhet ta provojmë që ta konstatojmë, nuk mjafton fakti që i vjen erë e keqe. Po citoj Charles de Gaulle: “Për t’u bërë mbret, politikani shtiret si shërbyes.” Fjala kyçe këtu është “shtirem”- e paraqes veten ndryshe nga ç’jam, e bëj sikur jam në një gjendje tjetër për të mashtruar të tjerët, për të përfituar diçka. Mbetet ta aplikoni vetë, për të konstatuar kujt i përshtatet më shumë. Në llogarinë e këtij koalicioni për më shumë se një dekadë kanë shkuar shumë padrejtësi të lidhura drejtpërdrejt me skandale publike, akuza për korrupsion dhe stagnim të qëllimshëm politik për devijim të fokusit publik. A është ende opsion të qëndrosh indiferent? Pas asaj kodre ka një elefant gjigand pink Le të dakordohemi për një gjë: Ky binom vite me radhë na ka thënë të besojmë se pas asaj kodre ka një elefant gjigand pink, dhe ne asnjëherë nuk u bëmë skeptik e ta verifikojmë deklaratën e tyre, e shumë më pak të pyesim besueshmërinë e kësaj teze. Bravo! Mision i suksesshëm! Fatkeqësisht, shumë nga ne kemi besuar qorrazi. Pse ta mohosh të vërtetën dhe të jetosh në iluzion?! A menduan ato se pasi e morën dritën jeshile të qytetarëve, nuk do të mbajnë përgjegjësi për veprat e tyre?! Le të biem dakord për një gjë tjetër: Librat e historisë do shkruajnë për trimat që e fituan betejën në kohë lufte dhe e humbën luftën në kohë paqeje. Niveli i përkuljes-servilitetit të politikanit të sotëm ndaj një padroni, mund të krahasohet me një besimtar që i përkulet të ashtuquajturës “Forcë” sipas botëkuptimit të tij. I përbetuar me vetëdije për besnikëri ndaj gënjeshtrës, e prapëseprapë duke mos e evituar rrënimin e vlerave të tij etike. Morali është nën nivelin e linjës së ngrirjes. Mos kërkoni sy nga qorri! Dhe mund të biem dakord për shumë gjëra tjera të pamohueshme që na kanë lënë në një rrugë paranoide pa destinacion fitimprurës. Cilën pjesë të “jeni duke bërë një katrahurë që me vite nuk do të mund ta kapërdijë shoqëria” nuk jeni duke e kuptuar?! Nëse ia vlen të jetohet në një tokë, atëherë ia vlen të vdiset për atë tokë. Skena me të cilën duhet të ballafaqohemi, të lë për të dëshiruar. Si mund të pohohet kjo hipotezë, kur nga njëra anë, pala maqedonase ka luftuar për të mos lejuar sovranitetin shoqëror dhe lirinë demokratike dhe të akuzon për mungesë ndjenjash për këtë shtet, si dhe nga ana tjetër pala politike shqiptare, e cila e ka ulur kokën dhe ankohet se miu është duke i bërë zullum, duke anashkaluar faktin se elefanti ndodhet në dhomë—apo bën sikur s’kupton vetëm për të përfituar kockën e mbetur! Kjo e fundit, më ngjason me idenë se është duke besuar thellë se jeton në një botë gjeo-centriste, të paprekshme dhe imune ndaj çdo lloj ‘dëmi’. Të menduarit kritik! A është morale ta amnistosh veten kur e ke pushtetin në dorën tënde? A është etike të shitesh si i pafajshëm? Po gënjeshtra, a është e barabartë me të vërtetën? Po! Kush manipuloi atëherë me ndjenjat tona? A është mëkat të jesh shqiptar në Republikën e Maqedonisë?! A është e drejtë të heshtësh ndaj fyerjeve nacionaliste?! A është gabim ta kritikosh personin që ke zgjedhur me votën tënde? A është e zakontë t’i marrësh liderët si figura “heroike”? Po pse atëherë nuk e shprehni zhgënjimin tuaj në mënyrë demokratike duke i dënuar me votën tuaj?! Siç ka thënë edhe Mark Twain: “Besnikëri për shtetin Gjithnjë, besnikëri për qeverinë vetëm kur e meriton”. Kemi zgjedhur një qeveri dhe jo një mbret, ka tri degë të qeverisë dhe të gjitha e kanë vendin e vet në qeveri! Po pse sillen këto sikur janë mbretër?! Kjo Maqedoni më jep krahë Në lidhje me avancimin e shtetit, një hap para dhe dy hapa pas është motoja e politikës maqedonase. Një hap pas dhe një piruet në vend, është motoja e politikës shqiptare. A jemi të denjë për të marrë fatin në duart tona, për të luftuar për të drejtat bazike? A jemi të barabartë para ligjit për të drejtat tona kushtetuese? Këto janë pyetjet! Liderët tanë, konceptin tit-for-tat do të duhet ta mësojne nëse ende nuk e zotërojnë! Mjaft më me zvarritje dhe ngecje politiko-ekonomike.! Shoh miq sa vjen e më shumë, të lënë vendin e tyre. Stop me gënjeshtra se gjoja gjërat shkojnë siç duhet! Mos harroni se çiltërsia dhe sinqeriteti, poashtu e zbukurojnë karakterin e një politikani. Mjaft me mbështetjen e qëndrimeve shkatërruese të shoqërisë! Duam të investojmë në mirëqënie ekonomike! Duam garanci për të drejtat tona humane, liritë civile, të drejtën për koekzistencë, drejtësi sociale, prosperitet në jetën individuale dhe në komunitet! Jeta e një maqedonasi nuk është e barabartë me dy jetë shqiptare. Para Zotit jemi të gjithë njëlloj, edhe para ligjit duhet të jemi të gjithë të barabartë. Gjendja jonë shpirtërore, sociologjike e psikologjike e ndikuar tmerrësisht shumë në përditshmërinë tonë nga kjo politikë destruktive, ka çuar në depresion kolektiv të shoqërisë. Ne kemi kapacitet të arsyetojmë racionalisht, dhe si rezultat i kësaj mund t’i besojmë arsyes sonë. Të ndërtojmë modele që janë të kapshme dhe praktike për ne. Një punëtor ka frikë se me dy apo tri punë, nuk do i përmbushë kërkesat e familjes. Një punëtor nuk duhet të ketë frikë a do e plotësojë detyrën për mirëmbajtjen e familjes së tij me orarin prej 8-16. Kjo është Maqedonia ku do të kishte dashur të jetonte gjithsecili nga ne. Sa e vështirë është të gjendet një gjuhë e përbashkët me gjithë komunitetet që jetojnë në vendin tonë. Aspak e vështirë! Duhet vetëm vullnet i mirë për të kërkuar zgjidhjen. Të gjithë duam mirëqënie per capita. _______________________________________________ FundStrugaLajm


Loading...
loading...