AUV shkatërroi ushqim të pasigurt, më së shumti shitej në Ohër dhe Strugë

Ushqim me afat të skaduar ose i ruajtur në kushte të papërshtatshme. Para festave të Pashkës, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) shkatërroi 1.740 kilogramë ushqim të pasigurt. Ai ishte i pranishëm nëpër restorante, sandviçeri, markete dhe furra byreku – më së shumti në vendet turistike si Ohri dhe Struga. Janë shqiptuar 30 gjoba, me një vlerë totale prej 25.400 eurosh.
Qytetarët kërkojnë më shumë kontrolle në objektet ku shërbehet dhe shitet ushqimi. Pothuajse secili ka pasur ndonjëherë përvojë me produkte të skaduara.
“Bleva vezë për t’i lyer me mbesat për Pashkë. Të gjitha ishin të prishura. I hodha dhe më duhej t’i lyeja përsëri,” – tha një qytetar.
“Mendoj se ushqimi më i pasigurt është në sandviçeritë, por shitet edhe në markete. Më ka ndodhur të blej diçka të skaduar, kthehem ta kthej, nuk ma pranojnë nëse nuk kam kuponin fiskal. U them – s’ka nevojë të më ktheni paratë, vetëm mos e shisni më,” – tha një tjetër qytetar.
Nga Agjencia për Ushqim apelojnë te qytetarët që nëse vërejnë përgatitje ushqimi në kushte të papërshtatshme, apo ushqime me ngjyrë apo erë të dyshimtë, ose që shiten me afat të skaduar, të raportojnë menjëherë në agjenci. Inspektorët do të dalin në terren dhe do t’i ndëshkojnë shkelësit.