Banka Popullore ulë kompensimet për bankat – pritet përgjigje me ulje të provizioneve për qytetarët

Banka Popullore e Maqedonisë ka ndërmarrë një hap konkret për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve dhe bizneseve, duke ulur kompensimet që bankat komerciale paguajnë ndaj saj. Ky vendim, që hyn në fuqi më 1 gusht, pritet të reflektohet me ulje të provizioneve dhe shërbimeve bankare për klientët.
Guvernatori Trajko Slaveski bëri thirrje për reagim të shpejtë nga sektori bankar. Sipas tij, megjithëse ulja e kompensimeve është zyrtare, vendimi për uljen e provizioneve mbetet në dorën e secilës bankë, dhe nuk ka një afat të përcaktuar për zbatimin e tyre.
“Presim që bankat të tregojnë mirëkuptim për interesin publik dhe të kontribuojnë në krijimin e një sistemi pagesash më të thjeshtë, më të qasshëm dhe më të lirë për qytetarët,” deklaroi Slaveski.
Edhe pse disa banka kanë njoftuar për rritje të provizioneve kohët e fundit, guvernatori shpreson në rishikim të shpejtë të këtyre listave.





























