BDI e “ngushtë” edhe për Izetin edhe për Artanin

Shkruan: Fejzi HAJDARI

Ose Artan Grubi do të fillojë t’i numërojë ditët e fundit si zv/kryeminmistër, ose Izet Mexhiti do të tërhiqet edhe nga Kuvendi edhe nga partia. Si duket nuk ka variant të tretë pas letrës së Izet Mexhitit, me të cilën bëri të ditur tërheqjen nga pozita e Shefit të Grupit parlamentar të BDI-së. Për të dy ata në poste të larta, BDI tashmë është e ngushtë.
Situata është delikate, prandaj edhe analistët më të “pavarur” të partisë në pushtet, janë heshtur dhe nuk komentojnë asgjë. Merren me “fajet e opozitës” edhe pse janë plotësisht të vetëdijshëm se kjo qasje i nxjerr budallenj para opinionit, por i hyjnë atij rreziku, që mos të prishen me asnjërin krah të partisë, sepse nuk e dinë cili do të dalë fitues.
Po pse është situata aq delikate, saqë as mediumet më të pavarura të pushtetit nuk dinë nga t’ia mbajnë?
Sepse, si duket, bëhet fjalë për garë me epilog të paparashikueshëm.
Izet Mexhiti ka rejting të pakontestueshëm te struktura dhe elektorati, por Artan Grubi është njeriu më i afërt i Ali Ahmetit edhe pse i papolluarizuar tek votuesit dhe te struktura. Nga jashtë duket si një “e keqe e domosdoshme”, prej të cilës nuk mund të largohet kryetari ‘integrist’.

Problemi kryesor është se Grubi, si kuadër me rejting të vogël, ka ambicie të mëdha. Si njeri me aftësi të pamohueshme organizative, ai nuk pajtohet të jetë vetëm një shef kabineti, ku nuk do t’i pengonte askujt, por kërkon hiç më pak, e as më shumë, postin numër një të BDI-së në ekzekutiv. Ahmeti, për shkaqe të njohura ose të panjohura, si duket nuk është në gjendje t’i thotë “jo” për momentin ambicieve të Grubit. Mirëpo, këto ambicie tani janë bë të tepërta për krahun operativ të partisë (që kontrollon shumicën e votave), krah i cili deri tani ka toleruar avancimin politik të Grubit, por vetëm për hatër të Ali Ahmetit.
Izet Mexhiti ka përkrahje të madhe te elektorati, kurse BDI nuk ka komoditetin e dikurshëm të lirohet prej figurave të veta, siç u lirua nga Hysni Shaqiri, Harun Aliu, Gëzim Ostreni, Hazbi Lika, Rafiz Haliti, … As BDI nuk është e fortë, e as opozita e dobët si dikur, që Ahmeti pa asnjë pasojë për partinë të mund t’i thotë Mexhitit “në daçç rri, në daç shko”. Largimi i tij, mund të reflektojë mjaftë negativisht në suksesin e BDI-së, në situatë kur afrohen zgjedhjet lokale dhe kur nuk ekzistojnë garanca se sistemi i numërimit të votave do të bie si në zgjedhjet parlamentare.

Përparësi e Grubit është se ka aftësi të krijojë raporte të mira me partitë maqedonase, kështu që me siguri i ka krijuar edhe tani me LSDM-në, sikur i kishte krijuar dikur me VMRO-DPMNE-në.
Nëse e kemi kuptuar mirë intervistën e fundit të Mexhitit, Grubi madje qenka i gatshëm ta shkrijë BDI-në në LSDM. A mund të ndodhë kjo? Pse jo?
Grubi njihet për qëndrimet e tij kontroverse. Sot brohoret UÇK, UÇK…, nesër e voton Gruevskin kryeministër, pasnesër thotë “Jemi Një” me LSDM-në. Prandaj, opinioni nuk do të habitej fare nëse Grubi një ditë del e thotë do të shkrihemi në LSDM, sepse ky ka qenë amaneti i dëshmorëve të vitit 2001. (Terren në këtë drejtim po i krijon edhe dora e tij e majtë, Bujar Osmani, me frazën “nga parti lufte, jemi bë parti moderne”). Mirëpo, sado të aftë në propagandë oratorike (gojore), Grubi e Osmani as për së afërmi nuk kanë përkrahje në strukturën e partisë si Izet Mexhiti. Ata edhe mund të pranojnë të shkrihen në LSDM, ose edhe VMRO, por as partive maqedonase nuk iu duhen pa votues? Kjo do t’i bënte të papërdorshëm në aspektin pragmatik.

P.S. Sigurisht që te një pjesë e opinionit është prezente edhe dilema nëse bëhet fjalë për lojë të koordinuar mes Mexhitit dhe Grubit, për të luajtur opozitën brenda pushtetit, për të harruar mashtrimin me ‘kryeministrin shqiptar’ dhe për të defokusuar opinionin nga dështime tjera.
Për momentin nuk ka ndonjë indikacion se bëhet fjalë për lojë të tillë, sepse siç tham më lartë, opozita nuk është më e dobët si dukur, e as BDI nuk është e fortë (si dikur) për të pasur komoditet të luajë loja “opozitë brenda pushtetit”. As “rrëshqitja” me “kryeministrin shqiptar”, nuk mund të harrohet aq lehtë nga opinioni, së paku edhe tre-katër cikle zgjedhore.


Loading...
loading...