BLENDI PETROL
Aktuale

BDI kërcënon, LSDM kërkon mirëkuptim

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, nuk pritet të thërret seancë plenare për një javë me qëllim që ti jepet kohë partive parlamentare që të arrijnë marrëveshje në lidhje me miratimin e Ligjit për gjuhët pas dështimit të ditës së martë që i njëjti të hidhet në votim. Në të njëjtën vijë me të janë dhe deputetë e BDI-së që thonë se nuk do të ketë seancë plenare tjetër pa u miratuar Ligji për gjuhët. Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë të LSDM-së thonë se mund të veprojnë siç thotë BDI, por për shtetin nuk do ishte mirë të luajnë në mënyrë kaq agresive. Deputetë të BDI-së thonë se debati mbi amendamentet është harxhuar në lexim të dytë, ndërsa sa i përket vërejtjeve të presidentit, shprehen se është në vullnetin e shumicës nëse i përfill apo jo. “Ne jemi Parlamenti dhe në këtë organ ka një shumicë që vendos për çështje të rëndësishme në vend dhe miraton ligjet. Kjo shumicë nuk ka pse të përfill vërejtjet e presidentit e as amendamentet për të cilat debati thjeshtë është harxhuar në lexim të dytë. E ka thënë dhe kryetari i Parlamentit, nuk jemi ne ata që vlerësojmë nëse një ligj është në pajtim me Kushtetutën apo jo, por ne votojmë ligjet që i propozon Qeveria”, thonë deputetë e BDI-së. Siç shprehen ata, seancë nuk do të ketë pa u votuar Ligji për gjuhët, ndërsa janë të sigurt se atë do ta votojnë dhe deputetë e LSDM-së. “Jemi të sigurt se Ligji do të votohet edhe nga deputetët e LSDMsë, ndryshe nuk do të bëhet kjo punë. Seancë plenare nuk do të ketë pa u votuar ky ligj. Tjetra, neve nuk na intereson forma se si VMRO do ti përkrah ligjet reformuese meqë ky është një problem tjetër që nuk duhet të lidhet me Ligjin për gjuhëtështë problem si i menaxhon LSDM punët me VMRO-në”, thonë deputetë e BDI-së. Ata përmendin rastin e njëjtë kur në vitin 2008, presidenti i atëhershëm, Branko Cërvenkovski, nuk e nënshkroi Ligjin për gjuhët dhe të njëjtin u detyrua ta nënshkruaj përsëri. “Në vitin 2008 kishim të njëjtën situatë kur presidenti Branko Cërvenkovski refuzoi ta nënshkruaj Ligjin për gjuhët, dhe e ktheu atë në Parlament bashkë më vërejtjet që normalisht – shumica e atëhershme nuk i përfilli dhe e votoi tekstin e njëjtë të Ligjit, bile në mos gabohemi – atëherë kishte dhe deputetë të LSDM-s që votuan pro ligjit. Pas kësaj, Cërvenkovski u detyrua ta nënshkruaj Ligjin për gjuhët meqë ashtu e thotë Ligji dhe Kushtetua dhe po njëjtë do të detyrohet ta nënshkruajë edhe presidenti Ivanov”, thonë për gazetën KOHA deputetët nga Grupi parlamentar i BDI-së. Në LSDM, sekretari i përgjithshëm i partisë, Aleksandër Kiracovski pajtohet me deputetët e BDI-së që shumica mund të vendos gjithçka vetëm, por siç thotë ai, nuk do të ishte mirë për shtetin./koha

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button