Bejta: Kam mbështetjen e liderëve të VLEN-it për kryetar të Gostivarit

Kandidati për kryetar të komunës së Gostivarit nga VLEN, Nevzat Bejta në intervistën për Alsat-M ka thënë se ka marrë mbështetjen e gjithë liderëve të këtij koalicioni dhe qytetarëve të kësaj komune për të garuar në zgjedhjet lokale të 11 janarit.
“Sa i takon kandidimit tim për kryetar të komunës, nuk është dëshirë e imja është kërkesë e shumicës së qytetarëve. Pavarësisht cilës parti i takoj, kam marrë mbështetjen e gjithë liderëve të VLEN, këtë e bëjmë për të mirën e Gostivarit, sepse për tetë vitet e kaluara është shkatërruar si qytet, dhe ne tash jemi bërë bashkë me qytetarët, bashkë me liderët e VLEN për të bërë punë të mira për Gostivarin dhe të bashkuar të dalim në fitoren e madhe më 11 janar dhe t’ia kthejmë shkëlqimin qytetit të Gostivarit”, ka thënë ai.
Ai shton se gjatë dy mandateve sa ka qenë kryetar i Gostivarit, qytetarët e mbajnë mend mirë se çfarë punë ka bërë, ndërsa ata që erdhën pas tij, “nuk realizuan asnjë projekt”.
“E dinë se si ka lulëzuar Gostivari dhe sa projekte kam realizuar për të mirën e qytetarëve. Arsimi ka lulëzuar, kultura poashtu, infrastruktura, nuk e mora mandatin e tretë, por ata që erdhën leje që nuk bënë asnjë punë, por nuk realizuan asnjë projekt”, tha Bejta.
Do të kemi rezultat shumë të mirë në Gostivar
Shton se do ketë një rezultat shumë të mirë në zgjedhje, sepse qytetarët e duan komunën e Gostivarit dhe nuk do ju përmbahen urdhrave të liderëve.
“Kanë harxhuar 30 milionë euro dhe e lanë komunën në borxhe, asnjë projekt i realizuar, mjetet i kanë harxhuar për të punësuar aktivistë dhe militantë sa për të marrë rroga për të bërë aktivitet politik dhe duke ndenjur në shtëpi”, thekson Bejta.





























