Bekim Qoku: Kërcënimet e Vulinit ndaj Albin Kurti janë alarm për rajonin – Kosova nuk frikësohet!

Kërcënimet dhe gjuha e errët që vijnë nga zyrtarë të Serbisë nuk janë vetëm të papranueshme, por edhe alarm për gjithë rajonin. Deklaratat e Aleksandar Vulinit ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përbëjnë një mentalitet të rrezikshëm që i përket së kaluarës dhe jo Evropës së sotme.
Këto kërcënime nuk frikësojnë askënd. Kosova është shtet i pavarur, demokratik dhe i vendosur në rrugën e saj drejt integrimit me botën perëndimore. Institucionet e saj dhe qytetarët e saj janë të bashkuar në mbrojtje të sovranitetit dhe të ardhmes së vendit.
Kryeministri Albin Kurti përfaqëson vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës dhe çdo kërcënim ndaj tij është kërcënim ndaj vetë shtetit të Kosovës. Ëndrrat e atyre që ende mendojnë për destabilizim, dhunë apo eliminime politike nuk do të bëhen kurrë realitet.
Kosova ecën përpara, me dinjitet, me demokraci dhe me mbështetjen e aleatëve të saj perëndimorë. Përballë këtyre kërcënimeve, përgjigjja jonë duhet të jetë uniteti, maturia dhe vendosmëria për të mbrojtur shtetin dhe liderët e zgjedhur nga populli.





























