Bekim Qoku:5 muaj prej se Ramiz Merko u shpall person Non grata ,LSDM dhe BDI nuk kanë ndryshuar qasje

Sot bëhen 5 muaj prej se Ramiz Merko, së bashku me gruan dhe fëmijët e tij, shpallet person Non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit për korrupsion të madh, krim të organizuar dhe ndërhyrje në gjyqësor. Ky fakt nuk ka ndryshuar aspak qasjen e kësaj qeverie LSDM/BDI/ASH ndaj z. Merko.

Nga ana tjetër, vazhdon procesi gjyqësor në të cilin unë jam paditur nga z. Merko, nga personi më i përfolur për korrupsion në MV, për shkak të një postimi ku e kam cilësuar atë si të korruptuar. Nuk ka përkufizim të ironisë më konkret se kjo.

Megjithëse thjesht dyshim i pabazuar i imi, një element që dua ta shquaj sot është se pse Ramiz Merko zgjodhi pikërisht këtë postim, ku unë përmend koalicionin e partisë së tij BDI me ASH-në, për të më ngritur padi që e kam denoncuar si të korruptuar? Janë shumë postime të tjera ku unë jam shumë më i ashpër me të. Në fund të atij postimi unë shpreh habinë time se si do të funksionojë koalicioni i BDI-së me ASH-në kur dihen kornfliktet e ASH-së me Ramiz Merkon. Aty them “Se si do ta kamuflojë dhe kapërdijë ASH-ja raportin e tendosur deri armiqësor me Ramizin….”.

Pyetja e drejtpërdrejtë është, a u trimërua Ramiz Merko të më padisë vetëm sepse e futa në të njëjtin ekuacion me të edhe ASH-në? Sa i thellë është bashkëpunimi i njerëzve të ASH-së me Ramiz Merkon dhe me hijen e tij Armend Kadrioskit?
Kur e dimë dëmin kolosal që universitetit i Ramizit i shkakton arsimin shqiptar, kur e dimë pushtetin që Ramizi e ka falë atij insitucioni ndër më të korruptuarit në vend, dhe kur e dimë që ASH drejton Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, pse ky inspektorat nuk ka marrë ende asnjë masë, asnjë aksion kundër këtij institucioni që e ka në zotërim personi i shpallur non grata për korrupsion madhor?

Ku mbeti dinjiteti i ASH? A ia ka vlejtur e gjithë ajo sakrificë e gjithë atyre aktivistëve, ndër të cilët edh unë, që dy-tre njerëz të bëhen ministra, fitojnë tendera, blejnë shtëpia e prona, pasurohen sa të munden? Që themeluesit dhe drejtuesit e ASH-së do të ulen një ditë në prerin e Ramiz Merkos dhe figurave të tjera të korruptuara dhe imorale, këtë s’e ka parë kush as në ëndrrat më të frikshme të tij.
Por fundi është afër. Për këtë jam shumë i sigurt.

In : Aktuale

Loading...
loading...