Në trevjetorin e themelimit të Lëvizjes BESA, në kohën kur kanë përfunduar edhe zgjedhjet lokale dhe janë kaluar dy ciklet të ndryshme zgjedhore, Lëvizja BESA ka vlerësuar se është momenti i pikërishëm që të organizohet edhe kongresi i parë i Lëvizjes BESA.
Prandaj në mbledhjen e rregullt të Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA, të mbajtur të shtunën në Shkup, duke u bazuar në nenin 38 të Statutit të Lëvizjes BESA, Këshilli Qendror i Lëvizjes BESA diskutoi për zgjedhjet e brendshme në Lëvizje dhe për organizimin e Kongresit të Lëvizjes. Pastaj në mënyrë unanime u vendos që, pas realizmit të zgjedhjeve të brendshme, Kongresi i Parë i Lëvizjes BESA të mbahet më 24 shkurt të vitit 2018.
Me këtë rast anëtarët e Këshillit Qendror bënë edhe vlerësimin e punës së deritanishme të Lëvizjes BESA në skenën politike, duke dhënë vlerësimin se ardhja e Besës në skenë e ka rimodeluar arenën politike në Maqedoni, veçmas në kampin politik shqiptar, duke u bërë partia e parë shqiptare që ka vendosur parime të fuqishme politike dhe moral të ri politik, mbi të cilat e ka zhvilluar politikën e saj.
Në këtë kontekst u theksua se Besa është partia e parë shqiptare në historinë politike të shqiptarëve të Maqedonisë që, për shkaqe parimore dhe duke u qëndruar besnike premtimeve ndaj elektoratit të saj, vendosi të mos bëhet pjesë e qeverisë, ndonëse ka pasur ofertë të hapur, duke vendosur kështu standarde të reja të politikëbërjes shqiptare në këtë shtet.
Sidoqoftë, qëndrimi i anëtarëve të Këshillit Qendror ishte se tash Besa ka nevojë për një kongres me qëllim të konsolidimit dhe fuqizimit, por edhe për një shtrirje jo vetëm sasiore, sa cilësore dhe akoma më përfshirëse.