Bleonizmi

A na duhen “ambasadore” të kulturës shqiptare të cilat shquhen me paraqitje vulgare, të cilat nuk arsyetohen me asnjë liri artistike apo flijesë për hir të karrierës, siç bëri kushedi për të satën herë këngëtarja dhe “aktorja”Bleona Qerreti në parakalimin në qilimin e kuq para ndarjes së oskarëve

Nga Daut DAUTI

“Natën e oskarëve” e pritëm me një tifo për filmat e vërtetë. Për filmat më të mirë, ashtu siç i ka sikush afinitetet për aktorët, regjisorët, filmat…më të mirë, pa u përzier emocionet e patriotizmit kur bën tifo për kandidatin tënd edhe kur ai ndoshta nuk e meriton. Mirëpo, meqë është yti, është gjest patriotik të rreshtohesh pas tëndit. Në spektaklin e sivjemë, si kurorë e një viti artistik, munguam ne si shqiptarë, pasi nuk u përsërit rasti i filmit “Shok” në kategorinë e filmave të shkurtër, i cili para dy vitesh na la pa gjumë duke pritur epilogun e dëshiruar. Ndonëse regjisori dhe skenaristi i tij ishte i huaj ( Jamie Donoughue), atë film të gjithë e konsideronim “tonin”, sepse temën e kishte nga Kosova, aktorët nga Kosova dhe producentin nga Kosova. Nuk e fitoi oskarin dhe ky fakt na dëshpëroi, por mjaftoi që ai film u rradhit ndër 5 filmat më të mirë në botë, kurse çmimet janë çmime, ndonjëherë i fiton ai që s’i meriton, dhe nuk i fiton ai që ka pasur vlerat për ta fituar. Vetë nominimi për çmimin më prestigjioz, e pati arritur efektin në mbarë botën me një rrëfim shokues dhe emocionues nga lufta për çlirimin e Kosovës. Por ja që sivjet, asnjë autor ose film koproduskional nuk pat vulën shqiptare.StrugaLajmStrugaLajm

Që të jemi korrekt gjer në fund, të themi se as nga Maqedonia nuk pati kush ta mbajë bajrakun në Kodak-arenën, sepse Millço Mançevski me 1.5 milionët që ia ndau shteti, filmin do ta bëjë gati vitin që vjen. Autori i “Para shiut”, në filmin e radhës nuk ka temë nga mjedisi prej nga e ka origjinën, por trajton një traumë bashkëkohore, ndoshta jo aq origjinale, një temë amerikane, për të kthyerit nga lufta dhe problemet e rikthimit në jetën normale. Nuk dyshojmë invencën e Millços dhe presim që edhe ky të paktën të jetë në nivelin e filmave të mëparshëm, sidomos të dy të parëve(“Para shiut” dhe “Pluhuri”), pasi mendoj se dy të tjerët(“Eshtrat” dhe “Nënat”) ishin më tepër eksperimente zhanrore, çfarë dinë të bëjnë shpesh autorët e talentuar.

Pra, aty e kisha fjalën, nata e oskarëve mbaroi pa përfaqësim të denjë në plan kombëtar apo në plan shtetëror dhe aty s’kishin si të na ngatërroheshin emocionet patriotike me ato artistike. Prisnim pra që të fitojnë disa favoritë të tjerë, nga hapësira të tjera gjeografike, hitet holivudiane, aktorët tanë të preferuar, siç ishte i paharrueshmi Geri Oldman, në rolin e Vinston Çerçilit, i cili në të kaluarën poashtu në mënyrë brilante kishte luajtur rolin e Betovenit. Por, në dallim nga Maqedonia, ne shqiptarët patëm si komb një përfaqësuese “të denjë” (alternative) për rubrikat “rozë”, sikundër që e kemi pasur edhe më herët. Bleona Qeretin. Në dallim nga një herë tjetër të kaluar në një manifestim të ngjashëm, kur e kishte mbuluar trupin me një “rrjetë”(kuptohet, të tejdukshme), kësaj radhe kishte “përparuar”, pjesën e poshtme e kishte mbuluar me brekushe! Për “ballkonet” e saj, edhe ashtu askujt s’i bëjnë përshtypje, i kishte lënë të lira me veshjen e saj të preferuar, prej rrjeti. Koxha “flijesë artistike” e Bleonës, e cila shpesh në intervista thekson “karrierën” e suksesshme të saj në Amerikë, por e gjora vajzë, me të vetmen gjë që bie në sy, ose përpiqet të tërheqë vëmendjen, janë këto “parada” të saj aspak për lavd. Në rrjetet sociale pakkush mund të gjendet i impresionuar nga gafa e radhës e Bleonës. “A mund të bëhemi 1 milion burra dhe patriotë shqiptarë në Facebook që ta veshim Bleonën me tesha kombëtare? Së paku t’ia vnojmë dy plisa qaty përpara që të mos kenë nevojë gazetat t’i vendosin ‘izolira’ (fllastera) se nuk po i rrinë mire”. E veçova këtë postim të emnakut dhe kolegut gazetar e publicist nga Londra, Daut Dautit në Facebook, i cili u vërshuar nga dhjetëra komente të tjera, ku askush nuk shprehte ndonjë mirëkuptim, e lëre më admirim për të. Ndër ta u radhita edhe vetë me komentin se ajo ishte veshur si ato “kukullat” nëpër “vitrinat” në shumë qytete të Evropës, që nuk është larg të vërtetës, sepse një aktor për hir të roleve dhe mund të zhvishet(mund ta mirëkuptojmë ose jo, por edhe skenat e tilla janë pjesë e kinematografisë), por të parakalojë e veshur si “punëtoret seksuale” në një manifestim kulturor, është larg çdo logjike.StrugaLajm

Çështja e degradimit të Bleona Qerretit mund të jetë dhe çështje personale dhe këtu s’kemi ç’bëjmë, por gjersa këtë e bën për publicitet, medoemos duhet t’ia themi në sy se nuk kemi mirëkuptim. Një aktore tjetër nga Shqipëria, para disa netësh në një televizion shqiptar, në bisedë me Mustafa Nanon, sqaroi motivet përse nuk kishte pranuar të luajë në një shfaqje nudo, dhe i sugjeroi udhëheqësit që kur ta thërrasë Bleonën në emision, pikërisht ta pyesë ç’ka dashur të arrijë. Por, për fat të keq, një lloj “liberalizmi” ka përfshirë një numër jo të vogël këngëtaresh shqiptare sipas asaj popullores “shih rrushi rrushin…”, saqë lirisht këtë dukuri mund dhe t’ia japim fenomenin e personifikuar te kryedama e këtyre gafave, “bleonizëm”, në stilin sa më zhveshur, më “kull”. Ato bëhen shpesh “heroina” atraktive të emisionit të Arian Çanit, “Zonë e lirë”, sepse i ka përqejf, pasi kështu i rritet shikueshmëria. Relativizimi i veshjes shkon deri atje saqë edhe pjesëtare serioze të estradës shqiptare të sprovojnë veten me këtë “liri”, madje dhe në shou emision për fëmijë anëtare jurie të dalin para fëmijëve me gjoks tepër “transparent”, duke harruar atë populloren sipas vendit kuvendi! Është për keqardhje edhe shembulli i aktores nga Kosova, Arta Dobroshi, e cila para disa vitesh nisi një karrierë të shkëlqyer ndërkombëtare, por e cila i lejoi vetes që në Festivalin e Kanës, para disa vitesh, të kapet nga fotografët me prapanicë të shpaluar, gjë që dukej sikur të ishte një kurdisje e qëllimtë nga vetë aktorja. Pyetja se përse ka nevojë një aktore e mirë të bie në sy me një gjest vulgar, ndoshta përgjigjen e ka në atë logjikën e mjerë të shumë yjeve të estradës ose kinematografisë, që mendojnë se nëpërmjet këtyre skandaleve mund të tërheqin vëmendjen si shtysë për karrierë. Por, në parakalimin vulgar të Bleonës ose gafës me paramendim të Arta Dobroshit, rënia “në sy” ka vetëm një porosi, e porosia është se ato janë të gatshme të rrënojnë dinjitetin e tyre për të ardhur deri te afirmimi. Gjithsesi, nëse do të donin të bënin karrierë artistike, gjesti që bëjnë vetëm mund të kuptohet vetëm si një “ofertë” jodinjitoze, për përvoja skandaloze që e kanë përfshirë Holivudin kohëve të fundit, ku përfolën shumë producentëve, regjisorë, aktore…

A na duhen “ambasadore” të këtilla të kulturës shqiptare të cilat shquhen me paraqitje të skajshme vulgare të cilat nuk arsyetohen me asnjë liri artistike apo “flijesë” për hir të karrierës? Përgjigja nuk ka lidhje me faktin që ende jemi shoqëri “konservatore” dhe nuk “mund t’i kuptojmë” këto fenomene, sepse edhe në shoqëri më “moderne”, nuk kanë ndonjë mirëkuptim e ngazëllim të tepruar nga “Bleonat” e tyre.

In : Aktuale

Loading...
loading...