Hojt Brajan Ji do të jetë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, raporton “Al Xhazira Balkans”. Informacionin e ka konfirmuar edhe Departamenti i Shtetit për korrespodentin e “Al Xhazirës” në Uashington.
Hojt Ji do të zëvendësojë Xhes Bejlin, i cili u emërua ambasador në vitin 2014. Ji është diplomat karriere dhe për momentin mban postin e zëvendësasistentit të sekretarit për Evropën dhe çështjet evropiane në administratën e SHBA-së në Uashington. Ai është përgjegjës për raportet e SHBA-ve me vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe në Tiranë njihet si njeriu që negocoi marrëveshjen parazgjedhore mes Ramës dhe Bashës.