Cilëve deputetë të opozitës shqiptare ua ka vënë syrin Kasami?

Mbetet ende pikëpyetje se cilëve prej 2 deputetë të opozitës shqiptare Bilall Kasami ua ka vënë syrin për t’i bërë pjesë të shumicës. Jozyrtarisht TV21 merr vesh se target janë deputetët më pak të ekspozuar të opozitës shqiptare, konkretisht Atnan Neziri, Abdulla Saliu, Safije Sadiku-Shahini ose Artina Qazimi. TV21 i kontaktoi, ndërsa vetëm dy prej tyre na u përgjigjen:

“Jo assesi kurrë nuk ndodh. Për mua kjo është e pamoralshme, ndërsa morali për mua është i shenjtë. Duke ditur natyrën time askush nuk më është afruar dhe besoj se nuk mundet askush të bëjë një ofertë të tillë. Jam kundër këtyre ofertave dhe jam thellë i bindur se këto veprime nuk janë të dinjitetshme”, tha Atnan Neziri – depuet i ASH-së.

“Unë mund të jem pjesë e shumicës vetëm kur koalicioni ynë krijon shumicë të re. Dhe, ashtu siç nuk ka guxim të më ftojë askush t’i bashkohem shumicës aktuale, po aq është ofenduese edhe pyetja në këtë temë”, theksoi Safije Sadiku-Shahini – deputete e Alternativës.

Nga deputetët Saliu dhe Qazimi nuk morëm përgjigje. Përndryshe ditë më parë, kreu i Besës, Bilall Kasami, pa treguar se me kë, tha se po komunikon me deputetë të koalicionit ASH-Alternativa.

“Kryeministri është në bisedime me deputetë të caktuar me VMRO-në, unë atë që mund ta them me kompetencë të plotë është që ne si Lëvizja Besa jemi në komunikim të rregullt me disa deputetë nga opozita shqiptare me të cilat unë kam besim të plotë që mund të kemi rezultat të plotë pozitiv që ata t’i bashkëngjiten shumicës qeveritare”, deklaroi Bilall Kasami – Kryetar i Lëvizjes Besa.

E deri sa pushteti zotohet se do të bëjë për vete deputetë opozitarë, edhe opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE, e pohon të njëjtën gjë.

“Për periudhë më të gjatë themi publikisht, nuk kemi çfarë të fshehim se bisedojmë me deputetë që janë pjesë e shumicës qeveritare, e nuk janë të LSDM-së dhe BDI-së, për formimin e shumicës së re parlamentare. Ky operacion ende nuk ka përfunduar, është në proces dhe pres të mbarojë me rrëzimin e kësaj qeverie”, potencoi Aleksandar Nikollovski – nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

E gjersa bëhet i gjithë ky debat për lëvizje deputetësh, mbrëmë Partia Liberal-demokrate solli vendim që 2 deputetët e saj të veprojnë të pavarur jashtë grupit parlamentar të LSDM-së, ndërsa shtojnë se do të vazhdojnë ta mbështesin Qeverinë. Megjithatë për kreun e LSDM-së, tani nuk ishte momenti i duhur që kjo të ndodhë.

“Se nuk është koha e duhur tani, nuk është! Tani në rrethana të këtilla kur opozita pohon se mund të formojë shumicë, e qeveria thotë se kjo absolutisht nuk është e mundur, një hap i këtillë nga LDP është dërgim i mesazhit të qartë që është dëmtim i koalicionit ose performancës së përbashkët”, u shpreh Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Mbetet për t’u parë në periudhën në vijim nëse këto pretendime të partive do të bëhen realitet, apo janë vetëm flluska për mburrje. Shumicën e përbëjnë aktualisht vetëm 62 deputetë. Do të mjaftonte të largoheshin dy, e qeveria të bie./Tv21

In : Aktuale

Loading...
loading...