BLENDI PETROL
Aktuale

Cubat e rrjeteve sociale

Emin AZEMI

Raportimet e fundit nga policia dhe gjykatat, tregojnë për një rritje shqetësuese të keqpërdorimit të rrjeteve sociale për qëllime bizare nga ana e përdoruesve. Janë të shpeshta rastet që të rinjtë rrjetet sociale i përdorin për të zënë në kurthë njëri tjetrin, duke shantazhuar me publikim fotografish apo materiale tjera komprometuese.
Ka rrezik që ky publik i ri që po formohet në këtë mënyrë, të jetë aq shumë i lidhur pas ‘’realitetit të tij’’, sa të humbë sensin e prekjes në realitetin konkret të jetës së përditshme, por edhe heqjen dorë nga mediat e tjera, të ashtuquajtura konvencionale, ndaj të cilave, me pa të drejtë mund të ngrihet një gardh paragjykues. Derivatet e këtij realiteti virtual sot mund të ndeshen në trajta të çoroditura të përmbysjes së raporteve njerëzore dhe rrjetet social, në vend që t’i afrojnë njerëzit, ato po ndikojnë në ftohjen raporteve mesë tyre.

Askush nga pjesëmarrësit e debatit të madh sot në botë, nuk ka mundur të gjejë një përgjigje fatlume para kësaj dileme që po i mundon sociologët e mediave dhe ekspertët e shumtë të komunikimit. Në kuadër të strategjive të zhvillimit të mediave, vende të ndryshme të botës kanë provuar forma të shumta të vendosjes së njëfarë rregulli brenda standardeve të përgjithshme të komunikimit tek mediat e reja.

Gara në mes të risive teknologjike dhe formimit të publikut, do të duhej të jetë preokupimi kryesor i përpiluesve të strategjive të reja komunikimit dhe medias. Gjithkush sot e ka të qartë se mediat online po thyejnë rekorde avantazhi kundrejt mediave klasike. Mirëpo përparësitë e këtij avantazhi nuk i merr si favore profesionale krejt publiku, për arsye se në fushën e paanë të komunikimit virtual sot kemi një oqean përdoruesish dhe, jo pak prej tyre, po ngrenë ‘principatat e tyre’ të realitetit virtual.

Një përparësi tjetër shumë e ndjeshme, që pak po trajtohet si vlerë në komunikimin publik e social, është dimensioni i lirisë së shprehjes, në kushtet kur politika provon të monopolizojë hapësirën publike me të vërtetën e saj të njëanshme. Mediat e reja, që janë të pakontrollueshme nga “punëtoria partiake”, gjithsesi, do t’i japin një dimension të ri lirisë së shprehjes, por edhe mundësive të pakufizuara për të ndërtuar “mirëqenie publike” pa e patur të domosdoshme ndihmën e aparatit shtetëror e institucional, me kusht që në komunikacionin e zhurmshëm të ketë kulturë të mirëfilltë qarkullimi.
Janë të shumtë në numër ata persona që po e kultivojnë identitetin e tyre qytetar, intelektual e social përmes kësaj bote virtuale dhe favori më i madh që del nga ky realitet është pamundësia e politikës së ditës për të manipuluar me këtë “masë elitare” që po e projekton refuzimin e vet jo vetëm personal, por edhe grupor. Por, në anën tjetër, është shumëzuar numri i përdoruesve pa identitet qytetar e profesional dhe pa një një profil të qëndrueshëm moral. Tallavaja e komunikimit në rrjetet sociale me paturpësinë e saj po mbërthen shumë fate njerëzish, dhe për pasojë nuk ka një ligj që ta ndalojë këtë zgjebë që po përhapet me të madhe.

Mbase, beteja për të triumfuar mbi këtë destruksion profesional, do të duhej të jetë strategjia e re e përballjes së vlerave e produkteve mediatike kundrejt deformimeve që i sjell keqmenaxhimi i tyre dhe të gjithë cubave që shantazhojnë të pambrojturit në saje të përparësive dhe lirive që jep teknologjia e re e komunikimit.

Një grusht të domosdoshëm dhe sa më urgjent ligjor e kërkon ky keqpërdorim i rrjeteve sociale.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button