Dalin pamjet, si po mbijetojnë ukrainasit e bllokuar në bunker

Regjimenti Azov i Ukrainës ka publikuar një video që supozohet që shfaq luftëtarët e tij duke i dërguar ushqim dhe ndihma për gratë dhe fëmijët që po strehohen nëpër bunkerë të Mariupolit për t’iu shmangur bombardimeve ruse.

Në videon e publikuar, gratë dhe fëmijët në një dhomë të ngjeshur me njerëz, dëgjohen duke thënë se kanë mungesa të ushqimeve dhe ujit dhe se luten që të evakuohen nga qyteti jugor i rrethuar.

Një pjesë e tyre thonë se kanë mbetur të bllokuar nën tokë për javë të tëra, derisa një vajzë thotë që s’e ka parë dritën e diellit që nga 27 shkurti – dita e katërt që kur nisi pushtimi rus të Ukrainës.

Në muret e bunkerit shihen tabela të mëdha me bojë të kuqe “Fëmijët”. Një grua dëgjohet duke thënë se më shumë se 15 fëmijë – nga foshnjat tek ata të moshës 14 vjeç – janë strehuar në ndërtesë.

Videoja – që besohet se është filmuar më 21 prill – nuk është verifikuar nga BBC, që e raportoi lajmin.

Fabrika e çelikut Azovstal – një labirint tunelesh dhe punishtesh – është një vend i madh industrial në Mariupolin qendror. Është pothuajse si një qytet brenda një qyteti.

Në fillim të kësaj jave, një nga komandantët e Azov – i cili së bashku me një brigadë të marinës ukrainase, rojet kufitare dhe oficerët e policisë janë ende duke mbrojtur Mariupolin – i thanë BBC-së se shumë civilë, përfshirë fëmijë, ishin strehuar në atë vend. Ai tha gjithashtu se aty ishin luftëtarë të plagosur dhe të vdekur.

Pjesa më e madhe e Mariupolit është shkatërruar gjatë javëve të bombardimeve të rënda ruse dhe luftimeve intensive në rrugë.

Këtë javë, Presidenti Vladimir Putin anuloi një sulm të planifikuar rus në fabrikën e çelikut dhe urdhëroi trupat e tij ta mbyllnin atë.

Marrja e portit të detit Azov është qëllimi kyç i rusëve në këtë luftë dhe do të lirojë më shumë trupa për t’iu bashkuar një ofensive ruse në rajonin lindor të Donbasit.

In : Aktuale, Rajoni

Loading...
loading...