DASMAT E ZVICËRANËVE DHE TË SHQIPTARËVE

Shkruan: MERXHAN JAKUPI

Që nga Epoka e Gurit, kur homosapienët filluan t’i varrosin të vdekurit në tokë, këta tribuna kishin dy rite. Njëri ishte riti i mortit, ndërsa tjetri ishte riti i ahengut. Gjatë ritit të ahengut, kryesisht për një bashkim (martesë) mes një mashkulli dhe një femre, mblidheshin për të festuar. Meshkujt e aftë për gjueti shkonin të vritnin gjahun për të siguruar mish, ndërsa të tjerët siguronin ushqime të tjera nga natyra. Kjo ishte zanafilla e ritit të ahengut, që ka filluar herët në procesin e civilizimit dhe që gjatë shekujve dukshëm ka ndryshuar, por qëllimi ka mbetur i njëjtë: që të festohet një gëzim i familjes, i grupit ose i shoqërisë.

Prej civilizimeve të sotme, ahengjet e këtilla, gëzimet apo dasmat, janë më të theksuara, ceremoniale e më pompoze në vendet aziatike, si në Indi, ku dasmat zgjasin deri dy javë, pastaj në shtetet myslimane, si Turkmenistan, Kirgistan, Azerbejxhan etj., por edhe te fiset mongole, madje s’ngelin pas as popujt e Ballkanit, ku dasmat zgjasin prej tri deri në shtatë ditë. Në shtetet myslimane të Federatës Ruse, burrat shkojnë të punojnë nëpër miniera me vite, për të bërë një dasmë familjare.

DASMAT E ZVICËRANËVE DHE TË SHQIPTARËVE

Pas revolucionit industrial, në shoqëritë perëndimore post-moderne, këto rite, ahengje dhe dasma, janë të rralla e modeste. Çiftet pas kurorëzimit në komunë apo kishë, me familjarët dhe miqtë përgëzojnë atë martesë me një koktej, kombinuar me verë, shampanjë, sandviç dhe desert. Nusja nuk blen fustan të bardhë, por atë e huazon apo merr me qira sa për ditën e dasmës. Ky është konstatim imi personal, sepse kam qenë i ftuar në një dasmë te do miq në Zvicër, të cilët e kishin organizuar ceremoninë në një sallë sporti, ku ishin të ftuar edhe kolegët e punës. Pranova ftesë për këtë dasmë, që bëhej nga të dyja familjet që miqësoheshin.

Këtu, pak a shumë, do ta përshkruaj se si rrodhi ceremonia e dasmës. Pasi u vesha me rroba solemne, në një zarf vuri 50 euro për dhuratë, të cilën e dorëzova në hyrje. Aty ishin edhe shumë kolegë të punës, të cilët ishin veshur në mënyrë modeste. Vetëm unë dhe një italian nga Sicilia, ishim me rroba festive dhe kolarë. Edhe pjesa e femrave nga Ballkani, ishin me fustane solemne dhe me shumë makijazh.

Duke shikuar rreth e përqark dhe duke i parë zviceranët se si ishin veshur ashtu modest e bukur, u ndjeva në siklet dhe menjëherë shkova në tualet, së paku ta heq kolarën. Pasi përfundoi dasma, mirë e bukur, me modesti, u shpërndamë të kënaqur. Të nesërmen, dasmori, kolegu ynë i punës, m’u afrua dhe sërish më falënderoi për pjesëmarrjen time dhe ma ktheu zarfin me 50 euro, me një buzëqeshje e respekt, sa mbeta pa fjalë.

Para shumë dekadave, dasmat tradicionale në trevat tona kanë qenë me vlera kombëtare dhe spirituale, të trashëguara brez pas brezi. Ishte kohë kur shumica e njerëzve të ftuar në dasmë, ngopeshin me mish, të cilin kanë mund ta hanë vetëm për bajram. Në dasma kishte një kohezion social dhe solidarësi. Krushqit fisnikëronin atë dasmë, duke vallëzuar dhe kënduar.

Në vitet 1960-1970, në fshatrat e Malësisë së Sharrit, dasmat zakonisht mbaheshin në vjeshtë e jo gjatë verës, kur kryheshin punët e bujqësisë dhe blegtorisë. Atëherë kur mbusheshin hambarët, zbritnin edhe fshatarët nga tëbanat me delet e tyre. Ata bënin një jetë nomade.
Pikërisht në vjeshtë, kur fshatarët ishin të lodhur nga mbledhja e bereqetit të vitit, fillonin dasmat. Shumica, me shumë entuziazëm dhe me shumë kureshtje pritnin fillimin e dasmave. Për këto ahengje harxhoheshin shuma modeste parash. Miqtë dhe farefisi që grishej në dasmë, nisej te nikoqiri me të ashtuquajturit “ustallarët”, me tupanë dhe curle, në kolonë mësynin në derën e dasmorit. Ata, zakonisht, vendosnin para (kartëmonedha) në degët e një peme të kopshtit. Nga këto para që mblidheshin prej njerëzve të ftuar, dasmori i mbulonte të gjitha shpenzimet.

NJË LOJË E SHTRENJTË E TURMËS

Dekadat e fundit, shoqëria shqiptare, si shumë popuj të tjerë, me traditë të trashëguar patriarkale dhe konservatore, është transformuar, evoluar, në një shoqëri urbane, liberale e moderne. Kësisoj, edhe dasmat tradicionale, përgjatë kohës, kanë humbur vlerat e tyre të mëparshme. Në gjithë gjeografinë shqiptare, dasmat mbahen në të shumtën e rasteve në korrik dhe gusht, kur njerëzit janë në pushime, sidomos kur kthehen mërgimtarët në vendlindje.

Tashmë, dasmat mbahen nëpër sallone, me koreografi luksoze, me njerëz mondanë, rroba të modelit të fundit dhe me një meny të pasur gjellësh dhe pijesh, si dhe me muzikë prej këngëtarësh të dalluar, që kallin atmosferën dhe të ftuarit vallëzojnë gjatë gjithë kohës. Por, kjo medalje e ka edhe anën tjetër. Shumica e mërgimtarëve tashmë janë bezdis nga këto dasma, thonë se janë lodhur dhe nuk arrijnë të pushojnë në vendlindje, pas një pune të mundimshme në vend të huaj. Dasmori për këtë aheng harxhon prej 5 deri në 10 mijë euro për një natë, pos muzikës dhe stolive që i merr për nusen. Ka edhe të tillë që nuk i kanë këto para, andaj marrin borxh para që i paguajnë ndër vite, duke rrezikuar ekonominë e familjes.

Femrat shfrytëzojnë rastin për të bërë thashetheme për veshjet që i shohin nëpër dasma, për lakuriqësinë, për salltanetet, por që edhe vetë i bëjnë, kur vjen radha. Flitet edhe për paratë që “hidhen pa dhembje” mbi kokë të këngëtarit, ndërsa pastaj, shumica sish, heqin të zitë e ullirit. Disa shesin edhe tokë e pasuri tjetër familjare, për këto shfrenime. Ato thonë se përgatitja e nuses, me stoli e fustane, u ka dalë prej 20 mijë deri 50 mijë euro, varësisht prej thellësisë së xhepit, madje disa bëjnë edhe gara se kush më shumë do të shpenzojë, që të marrë primatin dhe të ngre imazhin e familjes.

Loading...
loading...









Loading…


loading…