AktualeStruge

Debate të ashpra në Këshillin e Strugës për Programin e Ndërmarrjes Komunale


Në Këshillin Komunal të Strugës, pjesën më të madhe të diskutimit e zuri Programi i Punës i Ndërmarrjes Komunale, i cili u kritikua ashpër nga këshilltarët e opozitës.
Këshilltarët opozitarë vlerësuan se bëhet fjalë për një program që parashikon stagnim të ndërmarrjes, pa vizion zhvillimor dhe pa investime konkrete. Këshilltarja e AKI-së, Premtime Zulali, theksoi se programi nuk ofron zhvillim real, por ruan status quo-në, pasi nuk parasheh rritje të kapaciteteve dhe as investime që do të përmirësonin punën e ndërmarrjes.
Në të njëjtën linjë ishte edhe diskutimi i Faton Pollozhanit, po ashtu nga AKI, i cili deklaroi se këshilltarëve po u prezantohet një program që parashikon humbje financiare. Sipas tij, programi është i mangët dhe nuk planifikon rentabilitet financiar, duke paralajmëruar se me këtë qasje Ndërmarrja Komunale rrezikon të shkojë drejt kolapsit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Ndërmarrjes Komunale theksoi se ndërmarrja po hyn në një fazë të re funksionimi, me një politikë më kursimtare, të cilën po e zbaton drejtori i ri.
Në mbrojtje të Ndërmarrjes Komunale doli këshilltari i koalicionit VLEN, Nafi Jonuzi, i cili deklaroi se koha e dështimeve ka përfunduar. Sipas tij, ndërmarrja tashmë po funksionon më mirë dhe me kursim, duke shtuar se “ka kaluar koha kur rrogat merreshin pa shkuar në punë”.Me 13 vota pro Këshilli votoi programin e punës së Komunales për vitin 2026.(StrugaLajm. com)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button