Dëbora kaplon Maqedoninë e Veriut, shtresa arrin deri në 15 cm në disa vende

Ulja e ndjeshme e temperaturave solli reshjet e para të dëborës në zonat malore të vendit. Reshjet nisën që mbrëmë ndërsa trashësia e borës në Kodrën e Diellit, në Mavrovë dhe Strazhë, ka arritur në afër 15 centimetra. Ekipi i televizionit Alsat vizitoi Kodrën e Diellit. Reshjet e dëborës vazhdojnë, rrugët janë të kalueshme por më vështirësi në disa vende.

Situata është ndryshe në pjesën e Strazhës. Atje ka ndalesë për qarkullimin e automjeteve të rënda.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza njoftojnë se vështirësi kalimi ka edhe në rrugën nga Kriva Pallanka në gjatësi prej 3 – 5 kilometra, në afërsi të kalimit kufitar “Deve Bair”. Ndërkohë përgjegjësit për rrugë magjistrale tashmë kanë marrë aksion për pastrimin e rrugëve në pikat kritike të paralajmëruara në viset më të larta të vendit. Nga kjo Qendër, apelojnë shoferët që të bëjnë kujdes dhe t’iu përmbahen rregullave të komunikacionit pasi reshjet e shiut dhe të borës vazhdojnë në disa zona.

Nga Instituti Hidrometeorologjik paralajmërojnë se reshjet e shiut në viset e ulëta dhe reshjet e borës në zonat malore do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim dhe do jenë të përcjella me erëra të ftohta. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 10 gradë celsius.

Bashkim Sulejmani

In : Aktuale

Loading...
loading...