Decentralizimi i Arsimit: Mes Politikës Sociale dhe Cilësisë Arsimore

Bardhyl Tushi
Gati dy dekada pas nisjes së procesit të decentralizimit të arsimit në Maqedonia e Veriut, është koha për një debat serioz dhe të sinqertë publik: ku jemi sot dhe në çfarë drejtimi po shkon sistemi ynë arsimor?
Që nga viti 2005, shteti ndërmori hapa të rëndësishëm për transferimin e kompetencave dhe përgjegjësive financiare tek komunat. U ndryshuan ligje, u krijuan mekanizma të rinj financiarë dhe u investua mbështetje ndërkombëtare për të ndërtuar një model të qëndrueshëm të arsimit të decentralizuar. Qëllimi ishte i qartë: rritja e autonomisë së shkollave, përgjegjësi më e madhe lokale dhe shërbim më cilësor për nxënësit.
Megjithatë, sot përballemi me një realitet paradoksal: në të gjithë vendin numri i nxënësve është në rënie të vazhdueshme, ndërsa numri i mësimdhënësve është rritur. Ky zhvillim ngre një pyetje thelbësore: çfarë po ndodh realisht në nivel lokal me decentralizimin e arsimit?
Migrimi i brendshëm dhe i jashtëm, ulja e natalitetit dhe zbrazja e zonave rurale kanë reduktuar ndjeshëm numrin e nxënësve. Shkollat në shumë komuna funksionojnë me kapacitete të pjesshme, ndërsa infrastruktura dhe modeli i financimit mbeten të pandryshuara. Në këtë kontekst, rritja e numrit të mësimdhënësve krijon dilema serioze mbi racionalitetin e politikave arsimore dhe financiare.
A po përdoret sistemi arsimor si instrument i politikave sociale për punësim lokal? Apo kemi një strategji të qartë për përmirësimin e cilësisë së arsimit përmes uljes së numrit të nxënësve për klasë dhe përmirësimit të raportit nxënës–mësimdhënës?
Këto pyetje kërkojnë përgjigje të bazuara në analiza dhe jo në retorikë politike.
Fatkeqësisht, mungon një dokument strategjik nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut që të paraqesë një vizion të qartë për fazën e ardhshme të decentralizimit. Reforma e nisur në vitin 2005 nuk është rishikuar në mënyrë gjithëpërfshirëse për të vlerësuar efektet e saj reale. Nuk kemi një analizë të thellë për të kuptuar nëse mekanizmat financiarë funksionojnë siç ishte parashikuar dhe nëse komunat kanë kapacitetet e nevojshme për menaxhim efikas.
Në vend që opinioni publik të fokusohet në këto çështje strukturore, debati është zhvendosur pothuajse tërësisht tek ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë. Por pa konsolidim të arsimit fillor dhe të mesëm, çdo ndërhyrje në universitete rrezikon të mbetet masë administrative pa efekt të qëndrueshëm në cilësi.
Decentralizimi nuk është thjesht transferim kompetencash. Ai duhet të jetë model i ri menaxhimi, me përgjegjësi të qartë, transparencë financiare dhe matje të rezultateve. Nëse numri i nxënësve bie, ndërsa numri i mësimdhënësve rritet, atëherë është e domosdoshme të hapet një debat publik:
A kemi një politikë të qartë për racionalizimin e rrjetit shkollor?
A po investojmë në cilësi apo po menaxhojmë presione sociale?
A është decentralizimi mjet për zhvillim arsimor apo mekanizëm për stabilitet politik lokal?
Është koha për një rishikim të plotë të reformës së nisur në vitin 2005 dhe për hartimin e një strategjie të re kombëtare për decentralizimin e arsimit, e cila të ndërtohet mbi konsensus të gjerë dhe analiza reale të situatës demografike, financiare dhe institucionale.
Arsimi nuk mund të trajtohet si instrument i balancave të përkohshme politike. Ai është themeli i zhvillimit afatgjatë të vendit. Dhe ky themel kërkon vizion, guxim reformues dhe përgjegjësi publike.
.gif)




























