Depresioni “godet” rininë – zgjidhja po kërkohet te qetësuesit

Shkup, 8 prill – Një trend shqetësues po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha në vend, ku një numër në rritje pacientësh, sidomos nga të rinjtë, po përballen me ankth dhe stres, duke çuar paralelisht në rritje të përdorimit të medikamenteve.
Mjeku Dragan Gjorgjievski paralajmëron se situata po shndërrohet në një sfidë serioze për shoqërinë dhe sistemin shëndetësor.
“Ajo që po vërejmë është një rritje e ndjeshme e ankthit tek pacientët, veçanërisht tek të rinjtë. Kjo reflektohet drejtpërdrejt edhe në shtimin e përdorimit të antidepresivët dhe diazepamët”, thekson ai.
Sipas tij, faktorët që ndikojnë janë të shumtë – nga ritmi i shpejtë dhe stresues i jetesës, te ndikimi i rrjeteve sociale, si dhe vështirësitë ekonomike dhe pagat e ulëta.
“Pacientët paraqiten gjithnjë e më të tensionuar, të ngarkuar nga problemet e përditshme, puna apo procedurat administrative. Mjekët amë tashmë po përballen me një fluks të madh rastesh dhe shpesh konsiderohen si ‘linja e parë’ në ruajtjen e stabilitetit social”, shton Gjorgjievski.
Ky zhvillim, sipas ekspertëve, është një sinjal i qartë se shëndeti mendor po kthehet në një nga sfidat më të mëdha të kohës në vend.





























