Deputeti Sulejmani alarmon: Struga turistike po përballet me papërgjegjësi dhe neglizhencë

Në prag të sezonit turistik, kur Struga pritet të mbushet me vizitorë nga vendi dhe bota, deputeti nga ky qytet, Salim Sulejmani, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e mjerueshme të shetitores që çon drejt plazhit.
Përmes një reagimi publik, Sulejmani e cilësoi pamjen si “të shëmtuar, të rrezikshme dhe të papranueshme”, duke theksuar se trotuaret janë të çara, mburojat të shkatërruara, kudo ka mbeturina dhe vërehet një neglizhencë totale nga ana e komunës.
“Është turp që në vitin 2025 Struga të përballet ende me një papërgjegjësi të tillë ndaj hapësirave publike dhe imazhit të saj turistik,” u shpreh ai, duke kritikuar mungesën e investimeve në mirëmbajtje dhe përmirësim.
Sipas Sulejmanit, në vend që vizitorëve t’u ofrohet një qytet i pastër dhe mikpritës, atyre u prezantohet një realitet i trishtueshëm, i cili dëmton rëndë imazhin e Strugës.
“Struga dhe qytetarët e saj meritojnë më shumë,” përfundoi deputeti, duke i bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të veprojnë urgjentisht.(Strugalajm.com)