Desh perëndia, pandemia (s) na zuri apansëz..!

Bexhet Asani

APANSËZStrugaLajmStrugaLajm

             Ishte përcjellur brez pas brezi në familjen tonë nga stër - stërgjyshi gjer te nëna e babai im dhe vazhdoi pak edhe te unë kjo traditë e shkëlqyer e paraardhësve të mi.

E di se do të pyesni, ç’ traditë na qenka kjo!?
Kur prindërit e mi siguronin grurin, misrin, groshën dhe drutë për kryemoti, ishin të lumtur! Dhe isha kureshtar të dija, pse e bënin këtë!? Rrëfenjat, pastaj s’ kishin të mbaruar!
Saqë shpesherë më dukeshin si të pabesueshme..!
– Axhë Ibrahimi – fillonte nëna – vinte te neve, i kërkonte babës – babë i thoshte gjyshit të saj sepse ai e kishte rritur – gjysmë thesi misër, e hidhte në kurriz dhe në këmbë e çonte ta bluante në Vevçan! Mullinjtë e Vevçanit ishin larg, mbi 17 km vajtje – ardhje, ishin vitet tridhjetë të shekullit të njëzetë. – Kur kthehej baba i jepte miell për fëmijët. Tashti u bënë të pasur ata. E kishte fjalën për axhë Ibrahimin.
Me një rast Ibrahimi pat thënë: – Kam ushqyer fëmijët me krundet e gjyshit tuaj! Për të treguar mirënjohjen në njërën anë dhe fukarallëkun në anën tjetër.
– Katundarët tanë, ca në këmbë, e ca me kuaj shkonin të blinin misër në Shkup – vazhdonte rrëfenjën tjetër babai im. Treni vinte gjer aty, i ngarkuar me misër. Nga fshati jonë, Shkupi i ka 200 km. Një dimër ra shumë borë e shi me shtëmba. Fshatarët prisnin në breg të Lumit Vardar që të binte niveli i ujit. Neziri kishte thënë:
– Kali im nuk pyet nga ky ujë…! Hajde Dori! Iha…! Këto ishin fjalët e fundit të Nezirit të gjorë! Uji i rrëmbyer i Lumit Vardar e përpiu. Nuk u gjend më as ai, as kali.
Neve i kishim hambarët plotë me drithë. Krenoheshin me këtë. Dhe kishin plotësisht të drejtë, nuk mbaj mend që dimri t’ i kishte zënë ndonjëherë në befasi, pa u përgatitur.
Erdhën vitet e pas Luftës së Dytë Botërore. Ne e kishim malin Jabllanicë, te dera e shtëpisë. Dhe denbabaden aty i prisnim drutë. E kishim afër 3 – 4 km. Si erdhi partia, e kishte fjalën për Partinë Komuniste jugosllave, nuk na linte të prisnim dru në malin tonë. Na jepnin leje që të prisnim dru, në malin Karaorman 30 km larg. Këtë periudhë e mban mend edhe vëllai im i madh. Torturë e vërtetë. Të priteshin drutë, të zbriteshin me kalë me samar, poshtë në rrugë gjer te qerrja me rrota të hekurt. Dhe duhej të mbërrinim në shtëpi të nesërmen të pangrënë, të pagjumë, të rraskapitur.
Pas disa vitesh të mundimshme na lejuan që të prisnim dru në malin Jabllanicë, në malin tonë. Por jo mbi Vishnjë, ku i kishim drutë aq afër, por 12 km larg në Qafë Thanë. Në krahasim me malin Karaorman, Qafa e Thanës na dukej se drutë i bënim te dera e shtëpisë…!
Kjo traditë e sigurimit të miellit, groshës dhe druve u përcoll edhe te unë për ca kohë edhe pse nuk i kisha përjetuar kurrë këto peripeci!
Ja që ndodh nganjëherë që pa dashje të humb tradita! Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë e shpalli pandemi këtë të keqe të gjithë njerëzimit, unë si duket se vura atë ujë në zjarrë! Nuk arrita që traditën e gjyshërve, dhe prindërve të mi, nuk munda t’ ia përcillja fëmijëve..! Ndryshuan kohët. Ndryshuan njerëzit. Këtë nuk di ta them, nuk i jap dot ndonjë përfundim! Në mos dru, të paktën të kisha siguruar dy – tre thasë miell, e ndonjë thes me groshë…! Desh perëndia, pandemia (s) na zuri apansëz..!StrugaLajm


Loading...
loading...