Dështojnë surprizat shqiptare të Verës së Ohrit

Në festivalin Vera e Ohrit nuk do të marrë pjesë asnjë prej emrave të njohur që u paralajmëruan disa muaj më parë. Shkëlzen Doli, Inva Mula, janë dy artistët që lakoheshin si emra surprizë që do të interpretonin në skenën e festivalit ndërkombëtar, por sipas drejtuesve të këtij manifestimi, pjesëmarrja është anuluar përfundimisht, shkruan gazeta KOHA. Po ashtu, në programin e prezantuar në faqen zyrtare të festivalit mungon edhe një datë për Teatrin Shqiptar të Shkupit, pasi sipas drejtorit të Festivalit, shfaqja me të cilën do të merrte pjesë ky institucion nuk ka arritur të bëhet gati. Artisti i vetëm shqiptar në këtë edicion do të jetë vetëm violinisti Blerim Grubi i cili do të jetë prezent me një koncert më 19 gusht, së bashku me pianisten Maria Vërshkova në kishën Shën Sofia.

Drejtori i festivalit, Oliver Arsovksi, nuk jep shpjegime lidhur me arsyet e anulimit të pjesëmarrjes, nëse bëhet fjalë për mosmarrëveshje rreth pagesës, apo angazhime të tjera të artistëve.StrugaLajmStrugaLajm

“Në fakt ato që kishim paralajmëruar dhe që ishim në bisedime për të qenë pjesë e këtij festivali nuk u realizuan. Përfundimisht mund të them se Shkëlzen Doli nuk do të jetë prezent, po ashtu edhe soprano Inva Mula. Besoj se do t’i kemi prezent vitin e ardhshëm. Po ashtu edhe Teatri i Shkupit, i cili këtë vit nuk do të marrë pjesë pasi nuk ishin ende gati me shfaqjen që do t’i prezantonte. Në përgjithësi kemi pasur edhe disa anulime të tjera, por që i kemi zëvendësuar në Program”, thotë drejtori Oliver Arsovski. Edicioni i 57-të i festivalit “Vera e Ohrit” këtë vit vjen me risi, sa i takon stafit, logos, e të tjera. Pas dhjetë vitesh “Vera e Ohrit” ka ndërruar dy selektorët, solisti i Operës dhe Baletit, Gjorgji Cuckovski është selektori artistik i pjesës së muzikës, ndërsa aktori i Teatrit të Dramës Zoran Llutkov është selektori artistik i pjesës së dramës. “Rruga drejt magjisë”, është motoja me të cilën do të zhvillohet festivali, ndërsa do të hapet më 12 korrik nga grupi muzikor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Fourplay”, në skenën e Teatrit Antik. Performancat muzikore do të dominojnë skenën e sivjetshme, duke shënuar shifra rekord prej 38 shfaqjesh muzikore dhe prezencën e mbi 270 artistëve nga bota. Organizatorët thonë se pas hapjes së festivalit me xhaz spektaklin do të vijojnë edhe mbrëmje xhazi, Simfoni Rok, orkestra kamertale nga Kina, por edhe artistë vendas, si edhe për herë të parë është parashikuar  edhe programi – off,  me koncerte dhe ekspozita. Sa i takon pjesës së dramës  do të marrin pjesë katër teatro vendase, si edhe katër shfaqje nga teatro të huaja, si i  Sarajevës, Teatri i Ushtrisë nga Bullgaria dhe Teatri Kombëtar i Rumanisë. Festivali “Vera e Ohrit” zgjat 40 ditë dhe zhvillohet gjatë muajve korrik-gusht, ndërsa manifestimet do të zhvillohen në tre skena, atë të Teatrit antik, Sarajet e Poshtme dhe në oborrin e Shën Sofisë.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...