Studentet e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, Dijedona Murtishi nga Struga dhe Halime Mena i vazhdojnë me sukses studimet e tyre në kuadër të programit Erasmus në Universitetin e Ankarasë të Republikës së Turqisë mëson Strugalajm.
Krahas studimeve, dy studentet e universitetit tonë janë mjaft aktive në të gjitha aktivitetet arsimore dhe shkencore që organizohen nga Universiteti i Ankarasë. Nën organizimin e organizatës studentore të Universitetit të Ankarasë, të mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Sporteve e Turqisë, studentet Dijedona Murtishi dhe Halime Mena, bashkë me 280 studentë të tjerë të përzgjedhur, si më të mirët nga të gjithë universitetet e Turqisë dhe jashtë saj, më 5 prill 2019 e vizituan tempullin e dëshmorëve të Çanakalasë.
Në këtë marsh, përveç studentëve të pranishëm ishin edhe rektori i Universitetit të Ankarasë, Prof. Dr. Erhan Ibish, si dhe shumë personalitete të tjera publike të Republikës së Turqisë. Pjesëmarrësve me fjalë rasti ju drejtua kryetari i Organizatës studentore të Ankarasë, Halit Beşrek, si dhe studentja e Universitetit të Tetovës, Dijedona Murtishi, si studentja e përzgjedhur për performancë më të mirë në kuadër të programit Erasmus në Universitetin e Ankarasë.
Ajo, e falënderoi Universitetin e Ankarasë për vlerësimin që u bën studentëve të programit Erasmus dhe gjithashtu shprehu mirënjohje ndaj studentëve të Turqisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ofruar në çdo kohë, në të gjitha aktivitetet arsimore, shkencore, kulturore etj informohet Strugalajm.(Strugalajm.com)