Dika:Shqiptarët në Maqedoni duhet të punojnë çdo vit nga 3 ditë më shumë se maqedonët

Artan Dika

Meqë jemi tek festat po sjell një analizë timen për “Ligjin për festat” që e pata botuar rreth 10 vite më parë, duke cituar si hyrje vetëm një pjesë: “Bazuar në ligjin në fuqi, joortodoksët d.m.th. në radhë të parë shqiptarët në Maqedoni duhet të punojnë çdo vit nga 3 ditë më shumë se maqedonët dhe nga 4 ditë më shumë se serbët ose vllahët, ose e thënë ndryshe maqedonët kanë çdo vit nga 3 ditë pushimi më shumë se shqiptarët ndërsa vllahët e serbët nga 4 ditë. Një pasojë tjetër me karakter diskriminues rezulton në pagesën e punonjësve që punojnë ditëve të festave. Është e qartë se duke pasur më shumë festa, pjesëtarët e besimit ortodoks do paguhen më shpesh me pagesa shtesë për ditë festash, ndërkohë që stafit jo ortodoks ato do t’i llogariten si ditë pune normale me pagesë të zakonshme.”StrugaLajm

                      LIGJI PËR FESTAT 

Festat në Maqedoni më parë rregulloheshin me “Ligjin për festat në Republikën e Maqedonisë”, Gazeta zyrtare nr. 21/98, datë 8.05.1998.
Në fillim të vitit 2007, ky ligj u ndryshua me “Ligjin për ndryshimin e ligjit për festat në Republikën e Maqedonisë”, Gazeta zyrtare nr. 18, datë 15.02.2007.
Një analizë e këtyre dy ligjeve është një ilustrim i mirë i evoluimit të ngjarjeve drejt sllavizimit dhe ortodoksizimit të Maqedonisë në kohën e miratimit të ligjeve.
Të dy ligjet i klasifikojnë festat në Republikën e Maqedonisë në tre kategori: 1.) festa shtetërore, 2.) festa dhe 3.) ditë që festohen. Festat shtetërore dhe festat janë ditë pushimi për të gjithë banorët e Maqedonisë, ndërsa ditët që festohen janë pushim vetëm për bashkësitë, të cilave ju takojnë ato.
1.) Ligji i vjetër i vitit 1998 përcakton vetëm tre festa shtetërore: 2 gushtin (Ilindenin), 8 shtatorin (Dita e shpalljes së pavarësisë) dhe 11 tetorin (Dita e kryengritjes në Luftën e Dytë Botërore).
Ligji i ri i vitit 2007 u shton këtyre tre festave ekzistuese edhe tre festa të tjera shtetëror me karakter sllav, asnjëra nga të cilat nuk ka të bëjë aspak me shqiptarët: 24 majin – Ditën e mësonjësve pansllavë Kirili dhe Metodi, 23 tetorin – Ditën e luftës revolucionare maqedone (VMRO-së) dhe 8 dhjetorin – Ditën e Shën Klimentit të Ohrit.
2.) Ligji i vjetër i vitit 1998 përcakton vetëm dy festa: Vitin e Ri (1 dhe 2 janarin) dhe Ditën e punës (1 dhe 2 majin). Ligji i ri i vitit 2007 i zvogëlon në vetëm nga një ditë feste Vitin e Ri (1 janar) dhe Ditën e punës (1 maj) dhe u shton këtyre edhe dy festat kryesore ortodokse (Krishtlindjet dhe Pashkët) dhe vetëm Bajramin e madh! Bajrami i vogël është futur një kategori më poshtë, tek ditët që festohen!
3.) Ligji i vjetër i vitit 1998 përcakton si ditë që festohen: Krishtlindjet dhe Pashkët ortodokse, Bajramin e madh dhe Bajramin e vogël dhe Jom Kipurin për hebrenjtë.
Ligji i ri i vitit 2007 – meqë Krishtlindjet dhe Pashkët ortodokse i klasifikonte një grup më sipër, pra tek festat – në ditët që festohen, pos Bajramit të vogël, ka shtuar edhe pesë festa tjera fetare ortodokse shtesë (‘Badnik’, ‘Vodici’, ‘Veliki petok’, ‘Golema Bogorodica’ dhe ’Duhovden’). Tre festa fetare janë caktuar për katolikët. Pastaj është futur nga një festë për çdo bashkësi etnike (vini re se ku është radhitur statusi i shqiptarëve): për shqiptarët (Dita e Kongresit të Manastirit), për turqit (Dita e mësimit të gjuhës turke), për serbët (Dita e Shën Savës), për romët (Dita ndërkombëtare e romëve), për vllahët (Dita kombëtare e vllahëve) dhe për boshnjakët (Dita ndërkombëtare e boshnjakëve)!
Ndërkohë që ligji i vitit 1998 kishte një numër të kufizuar festash, ndryshimi i ligjit në vitin 2007 e shumëfishon numrin e festave duke ju dhënë përparësi të dukshme festave fetare ortodokse. Pos aspektit joracional dhe diskriminues, ky ligj, aktualisht në fuqi, ka edhe një aspekt antikushtetues. Bazuar në ligjin në fuqi, joortodoksët dhe në radhë të parë shqiptarët në Maqedoni duhet të punojnë çdo vit nga 3 ditë më shumë se maqedonët dhe nga 4 ditë më shumë se serbët ose vllahët, ose e thënë ndryshe maqedonët kanë çdo vit nga 3 ditë pushimi më shumë se shqiptarët ndërsa vllahët e serbët nga 4 ditë.
Pos kësaj ligji sjellë edhe pabarazi tjera të ngjashme, mes bashkësive të ndryshme, në ditët e punës. Një pasojë tjetër me karakter diskriminues rezulton në pagesën e punonjësve që punojnë ditëve të festave. Është e qartë se duke pasur më shumë festa, pjesëtarët e besimit ortodoks do paguhen më shpesh me pagesa shtesë për ditë festash, ndërkohë që stafit jo ortodoks ato do t’i llogariten si ditë pune normale me pagesë të zakonshme! Këto aspekte bëjnë që “Ligji në fuqi për ndryshimin e ligjit për festat në Republikën e Maqedonisë”, Gazeta zyrtare nr. 18, datë 15.02.2007, të jetë në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë që shprehet se ’qytetarët e Republikës së Maqedonisë janë të barabartë në liritë dhe të drejtat e tyre, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën e lëkurës, prejardhjen nacionale dhe sociale, bindjet politike dhe fetare dhe gjendjen pronësore dhe shoqërore. Qytetarët para Kushtetutës dhe ligjeve janë të barabartë.’StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...